Kryeministri Albin Kurti është ende i pavendosur nëse do të marrë pjesë në takimin e radhës në Bruksel, raporton Ekonomia Online.
Kurti sqaroi se do të presë vizitën e shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, në burgun e Kralevës aty ku po mbahen tre policët kufitarë. Ai pohoi se kur t’i ketë të dhënat se si janë policët, do të marrë vendim nëse do të shkojë në takimin në Bruksel.
Kurti bëri të ditur se për shtensionimin e situatës në veri, ka propozuar që gradualisht të zvogëlohet prania e njësisë speciale rreth objekteve komunale.
“Kur t’i kem të dhënat nga kjo vizitë e tre policëve tanë që po mbahen peng në Serbi si hakmarrje për luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit në Kosovë, do ta marr vendimin dhe do ta jap njoftimin. Vizita (e Jasharit v.j.) është menduar për ditën e nesërme dhe unë do të jem në kontakt me ambasadorin që të më njoftojë për gjendjen e këtyre policëve që po mbahen rob në Serbi”.
“Për shkak se ka ekstremistë të ndryshëm dhe për shkak se ka grupe kriminale, duhet të ketë Polici të Kosovës në këto ndërtesa, unë kam kërkuar që Policia e Kosovës ta zvogëlojë numrin e policëve gradualisht, me sundimin e ligjit që bën që të përballen me drejtësi ata kriminelë që sulmuan KFOR-in dhe gazetarët. Për Policinë e Kosovës, çdo komunë është e njëjtë dhe veprimi i tyre bëhet duke u bazuar në Kushtetutë”.
“Për shkak se ka ekstremistë të dhunshëm, duhet të ketë polici të Kosovës në këto ndërtesa. Kam kërkuar që gradualisht ta zvogëloj numrin e policëve, por me sundimin e ligjit që bën që policët të përballen me drejtësinë, këtë e kemi propozuar. Për Policinë çdo komunë është e njëjtë, veprimet bëhen duke u bazuar në kushtetutshmërisë”, tha ai.