Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka replikuar me deputetin e AAK-së, Pal Lekaj, dhe me atë të PDK-së, Ferat Shala, ku sipas tij, të dy treguan se nuk e kanë çështjen me arsimin, por me të si kryeministër.
Ai tha se halli është me të, jo që s’po shkojnë nxënësit në shkolla, teksa shtoi se po adresohet gabimisht dhe greva po përdoret si armë ndaj tij.
“S’e kanë as me grevën, as me Rrahman Jasharin, por e kanë me mua. Por, në thelb të kësaj është një mosnjohje kronike e rezultatit të 14 shkurtit të vitit të kaluar. Duhet tejkaluar ajo. Populli ka votuar”.
“Unë besoj se sërish nuk është e rastësishme sepse më 5 qershor 2017 kur këto dy parti kur kanë qenë në PAN, bëhet memorandumi i bashkëpunimi midis PAN-it dhe SBAShK-ut. Dhe është i njëjti njëri në krye të SBAShK-ut dhe janë dy deputetë që dalin nga dy parti të PAN-it të cilët sot e tregojnë qartë se problem është kryeministri dhe greva është armë ndaj kryeministrit”.
Ai, gjithashtu i replikoi edhe deputetit të PDK-së, Enver Hoxhajt, teksa ky i fundit si shembull për grevë mori Finlandën.
“Më tej, deputeti Hoxhaj merr shembull Finlandën për grevë. Ka qenë ministër i Arsimit, është dashur ta marrë atëherë shembull Finlandën, s’kishim qenë sot këtu. Tash i është kujtuar Finlanda”.