Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar profilin e dy personave me prapavijë kriminale, për të cilët po thotë se po marrin pjesë në bllokimin e pikave kufitare në veri të Kosovës.
Kurti një gjë të tillë e ka bërë nëpërmjet një postimi në llogarinë zyrtare të tij në ‘Facebook’. Sipas tij, Vladislav Dajkoviq dhe Igor Braunoviq, janë në mesin e personave që po realizojnë bllokadën në Jarinje, për të cilët thotë se kanë prapavijë kriminale.
Kurti ka thënë se Vladislav Dajković dhe Igor Braunović janë me veprimtari kriminale e pikëpamje ekstremiste.
“Vladislav Dajković, shtetas malazez, me datë 22 shtator 2021, ka hyrë në Kosovë përmes pikës kufitare në Jarinje ku edhe i është bashkuar protestuesve. Ai ka edhe nënshtetësi të Serbisë dhe është i lindur më 13 janar 1992. Në bllokimet e rrugëve magjistrale që shpiejnë në drejtim të vendkalimeve kufitare Jarinje dhe Bërnjak po marrin pjesë individë të dëshmuar me veprimtari kriminale e pikëpamje ekstremiste. Në vijim janë dhënë përshkrimet dhe fotografitë e dy prej tyre. Igor Braunović, drejtor i përgjithshëm i “Srbijašume”, lavdërohet publikisht nga zëvendësi i tij Bratislav Dikić për pjesëmarrje në bllokadën në Jarinje”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Postimi i plotë:
Në bllokimet e rrugëve magjistrale që shpiejnë në drejtim të vendkalimeve kufitare Jarinje dhe Bërnjak po marrin pjesë individë të dëshmuar me veprimtari kriminale e pikëpamje ekstremiste. Në vijim janë dhënë përshkrimet dhe fotografitë e dy prej tyre.
- Vladislav Dajković, shtetas malazez, me datë 22 shtator 2021, ka hyrë në Kosovë përmes pikës kufitare në Jarinje ku edhe i është bashkuar protestuesve. Ai ka edhe nënshtetësi të Serbisë dhe është i lindur më 13 janar 1992. Njihet për botëkuptimet proserbe e proruse dhe ka marrë pjesë në të gjitha organizimet kundër orientimit perëndimor në Mal të Zi. Ai ka lidhje të ngushta me agjentin propagandues serb, Boris Malagurski, si dhe me propaganduesin francez prorus, Arnaud Gouillon. Dajković, është edhe anëtar i Lëvizjes Imperialiste Ruse (me flamurin e së cilës shihet në foto), që është shpallur organizatë terroriste nga ShBA-të.
- Igor Braunović, drejtor i përgjithshëm i “Srbijašume”, lavdërohet publikisht nga zëvendësi i tij Bratislav Dikić për pjesëmarrje në bllokadën në Jarinje. Dikić është general në pension e dikur ishte kreu i xhandarmerisë serbe që ka qenë i arrestuar si i përfshirë në tentimin për grusht shtet në Mal të Zi në vitin 2016. Dikić është i afërt me kryetarin e Kuvendit të Serbisë, Ivica Dačić. Për më tepër, Dikić ka qenë i involvuar në thyerjen e kutive të votimit në komunën veriore të Mitrovicës në zgjedhjet lokale 2013, si dhe në heqjen e përmendores së UÇPMB-së në Preshevë po ashtu në vitin 2013. Së fundmi, pushteti e ka shpërblyer atë me pozitën e ndihmës drejtorit të ndërmarrjes publike “Srbijašume”. Pra, ai ka dalë hapur në rrjetet sociale në përkrahje të barrikadave dhe si përfaqësues në këto barrikada e ka dërguar me datë 22 shtator 2021 pikërisht Igor Braunović, drejtorin e përgjithshëm të NP “Srbijašume”. Ai nuk ka ardhur vet personalisht në barrikada meqë është figurë e komprometuar si element rus gjatë tentimit për grusht shtet në Mal të Zi.