Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka mbledhur kabinetin qeveritar. E në adresimin para se të niste me pikat e rendit të ditës, ai kishte vendosur që të flas për raportet me Amerikën, kjo ndonëse pasi u ndërpre Dialogu Strategjik, për çka pati edhe shumë reagime.
Teksa shprehet i bindur se qeveria me të cilën drejton ai, ndonëse në detyrë, raportet me Amerikën janë të mira, por shton e janë disa dallime e të cilat sipas tij po i zmadhon opozita, raporton Ekonomia Online.
“Së pari duam të qartësojmë për qytetarët tanë se bëhet fjalë për pezullim e planifikimit për dialog strategjik, jo të dialogut strategjik si proces të nisur as të komunikimit të rregullt që ne kemi. Nuk jemi prishur me Amerikën, por kemi disa dallime. Ndonëse, opozitarët po e stërmadhojnë në dritë negative çdo ndodhi për raportin e qeverisë sonë me qeverinë amerikane unë nuk dua t’i minimizojë zhvillimet e fundit. I sigurojë qytetarët se qeveria jonë i trajton seriozisht deklaratat e Ambasadës Amerikane. Përgjatë mandatit tonë jemi munduar që raportet dhe partneriteti ynë me SHBA të forcohet në tri shtylla kryesore, diplomaci, mbrojtje dhe zhvillim”, ka thënë Kurti.
Kurti ka theksuar se dallimet me Amerikën janë tek qëndrimet e Qeverisë së Kosovës që ka në raport me Serbinë dhe veprimet ndaj strukturave ilegale.
“Në shtyllën e diplomacisë kemi disa dallime dhe ato shumë shpesh kanë të bëjnë me qëndrimet tona në raport me Serbinë dhe veprimet ndaj strukturave ilegale në Kosovë. Përderisa pajtohemi për vlera, interesa dhe qëllime nganjëherë jo edhe për çështje operacionale e taktike. Megjithkëto, në tërësi në këtë shtyllë padyshim që ka ecje substanciale në dy shtylla tjera, atë të mbrojtjes dhe zhvillimit. Bashkëpunimi ushtarak po vijon me ç’rast blerja e pajisjeve dhe municioneve në administratën aktuale po shkon dhe më mirë”, tha mes tjerash Kurti.