Kryeministri Albin Kurti, ka lavdëruar ekipin e tij qeverisës në 2/3 e mandatit në krye të shtetit. Kurti e ka nisur mbledhjen e Qeverisë, duke numëruar disa prej sukseseve të arritura, derisa ka theksuar se të enjten bëhen 32 muaj të qeverisjes së tij, raporton Ekonomia Online.
Ai megjithatë ka thënë se ende ka punë për t’u bërë. Në fjalimin para kabinetit qeveritar të mërkurën, Kurti ka thënë se “datat si këto shërbejnë si moment kujtimi çfarë kemi bërë si ekip, por edhe për të kujtuar se koha për t’i përmbushur zotimet e respektuar pritjet e qytetarëve sa vjen e pakohet”.
Duke thënë se “çdo ditë na përkujtohet se çka s’është bërë e çka ka mbetur të bëhet”, Kurti zgjodhi t’i përmendë ato që i ka vlerësuar si punë të mira të kryera.
Ka nisur me përballjen me pandeminë, duke lavdëruar qeverisjen për vaksinimin. Ai ka përmendur si punë të kryer edhe “shpërndarjen e të hyrave tatimore te qytetarët përballë inflacionit dhe krizën energjetike, por jo vetëm”.
Ai ka thënë se Qeveria e tij ka mbështetur studentët, familjet në nevojë, pensionistët e zyrtarët publikë. Ka përmendur edhe punësimin e të rinjve e subvencionimin e rrogave. Kurti ka thënë se nënat lenona për herë të parë marrin mjete, ndërsa ka shtuar se mbi 387 mijë fëmijë marrin shtesa. Është lavdëruar për rritjen e buxhetit për ushtrinë, përkrahjen për bujqit e organizimin e Lojërave Mesdhetare.
Kurti ka folur edhe për veriun, duke shtuar se janë mbyllur shumë rrugë ilegale që përdoreshin për kontrabandë.
“Sot në katër komunat tona në veri, ka më shumë qetësi e siguri për qytetarët tanë”, ka shtuar ai duke thënë se janë bërë mbi 2100 konvertime të targave ilegale në RKS dhe se është rritur interesimi i serbëve për pasaporta të Kosovës.
Fjalimi i plotë:
Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra,
Të dashur qytetarë,
Nesër bëhen plot 32 muaj prej ditës së parë të qeverisjes sonë apo 2/3 e mandatit katërvjeçar. Janë data si këto që na shërbejnë si moment reflektimi mbi atë se çfarë kemi arritur si ekip. Por edhe na kujtojnë se koha për të përmbushur zotimet tona dhe për të respektuar pritjet e qytetarëve tanë brenda mandatit të parë sa vjen e pakohet.
E meqë çdo ditë na përkujtohet secilit prej nesh, se çfarë nuk është bërë e çfarë ka mbetur të bëhet, sot po e shfrytëzoj rastin që të përmend vetëm disa gjëra, jo të gjitha, që i kemi bërë.
Në përballje me pandeminë Covid-19, kur Kosova nuk kishte asnjë vaksinë dhe kishte mbetur e fundit dhe e vetmja në rajon që nuk kishte filluar procesin e vaksinimit, brenda 100 ditëve të para të qeverisjes sonë siguruam mbi 2 milionë vaksina. Tetë muaj pas imunizuam 60% të popullatës së rritur, siç kishim premtuar, dhe nga të fundit në rajon, u bëmë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor për nga shkalla e vaksinimit të popullatës.
Rritjen ekonomike dhe të hyrave tatimore e rishpërndamë te qytetarët, veçanërisht në përballje me inflacionin dhe krizën energjetike, por jo vetëm. Mbështetëm subvencionimin e tarifave të energjisë elektrike, të faturave të energjisë elektrike, të pajisjeve për efiçiencë të energjisë. Mbështetëm studentët, familjet në nevojë, pensionistët, e zyrtarët publikë. Mbështetëm punësimin e të rinjve përmes platformës SuperPuna, të grave, personave me aftësi të kufizuara dhe të anëtarëve të familjeve pa asnjë të punësuar. Subvencionuam pagën e rritur në sektorin privat; mbështetëm bizneset në zgjerimin dhe rritjen e kapaciteteve të prodhimit e të eksportit; në promovimin e produkteve tyre në panaire ndërkombëtare; teksa u siguruam që faturat e energjisë elektrike për ta të jenë më të lirat në rajon. Sipas Bankës Botërore, Kosova ka pasur pakon mbështetëse më të madhe si përqindje e Bruto Produktit Vendor, në rajon për qytetarët në përballje me inflacionin dhe krizën energjetike.
Nënat lehona për herë të parë marrin shtesa për vete dhe për fëmijët e tyre të porsalindur, sikurse marrin të gjithë prindërit e fëmijëve nën moshën 16 vjeçare. Të dhënat më të fundit tregojnë se janë 49 mijë nëna të reja që deri më tani kanë përfituar nga mbështetja mujore e shtetit dhe mbi 387 mijë fëmijë që e kanë ndjerë e vazhdojnë ta ndjejnë dorën e shtetit për ndihmën jetike.
Arsimin publik të lartë tani e kemi bërë falas. 43 mijë studentë ndjekin studimet e tyre në nivelin bachelor dhe master, si e drejtë që ju takon, jo si shërbim për të cilin duhet të paguajnë. Po e lidhim shkollimin profesional me tregun e punës përmes arsimit dual. Këtë vit kemi 12 profile, që ofrohen në 21 shkolla, në 14 komuna të Kosovës. Arsimi dhe aftësimi profesional është njëri nga projektet më të mëdha të transformimit të ekonomisë sonë.
Ushtrinë e kemi më të fortë se kurrë. I kemi ndarë buxhet më shumë se dyfish krahasuar me çfarë kishte, edhe atë po e rrisim çdo vit. Ia shtuam 1852 ushtarë të rinj dhe 600 tjetër tashmë i kemi paraparë për vitin e ardhshëm. Ka armatim më shumë sepse investimet i kemi rritur për 191%, gati trefishim. Përveç çizmes në tokë, ushtria jonë tani ka edhe sy në qiell me dronët Bayraktar.
Me mbi 214 milionë euro mbështetje financiare deri më tani, fermeri i Kosovës sot, është fermeri më i përkrahur në rajon. Mbështetjen me subvencione për bujqit dhe fermerët e kemi rritur deri në 216%, pra mbi trefishim, dhe për herë të parë kemi subvencionuar naftën dhe plehun bujqësor. Andaj edhe kemi rekord të mbjellave që prej pas luftës.
Lojërat Mesdhetare 2030 arritëm që t’i sjellim në Kosovë. Kjo do të jetë ngjarja më e madhe sportive që vendi ynë e organizon si nikoqir. Për shtatë vjet kemi paraparë mbi 250 milionë euro investime publike, për të mirëpritur 26 shtete pjesëmarrëse e 23 disiplina sportive, mijëra atletë e dhjetëra mijëra turistë.
Krahas rrugëve, po ndërtojmë hekurudha. Tash së fundmi u shpall edhe kompania fituese për studimin e fizibilitetit dhe përgatitjen e projektit për linjën Prishtinë-Durrës. Ndërkaq, mbi 200 milionë euro janë paraparë për rehabilitimin e Linjës Hekurudhore 10, që do të mundësojë operimin e trenave me shpejtësi mbi 100km/orë në shumicën e seksioneve të linjës.
E teksa po hapim rrugë të reja që rrisin lëvizjen dhe nxisin shkëmbimet, kemi mbyllur shumë rrugë ilegale që shfrytëzoheshin për kontrabandë, trafikim e kalim të paligjshëm të kufirit. Gjithsej 34 sosh, prej tyre 26 vetëm në veri të vendit. Atje nga Policia jonë u shkatërruan edhe nëntë laboratore të drogës, nga 16 gjithsej, gjithandej territorit, dhe 6 laboratore të prodhimit të kriptovalutave. Sot, në katër komunat tona në veri ka më shumë siguri dhe qetësi për qytetarët tanë. Po asfaltohen rrugë e po ndërtohen shtëpi të reja, përfshirë edhe të banorëve shqiptarë të cilëve prona u ishte dëmtuar gjatë luftës së fundit në Kosovë. Bashkëqytetarët tanë serbë tani janë më të lirë të vendosin vet, sepse grupet kriminale që dikur terrorizonin banorët e atyre komunave, tani skutën e kanë diku tjëtër, por nëpër Serbi. Andaj edhe kohëve të fundit po shohim një interesim të lartë të tyre për t’u pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës. Vetëm këtë muaj, deri dje janë mbi 2100 konvertime të targave të veturave në RKS, në të njëjtën kohë që interesimi për t’u pajisur me pasaportë të Kosovës gjithashtu është rritur.
Nga 1 janari i vitit të ardhshëm pasaporta e Republikës sonë do të jetë shumëfish më e fuqishme, sepse hyn në fuqi vendimi i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave në zonën shengen. Kjo arritje, përveçse meritë e kahmotshme e qytetarëve tanë, është edhe rezultat i ligjshmërisë, i reformave, luftimit të korrupsionit dhe praktikave korruptive e i qeverisjes sonë të mirë me imazh të lartësuar ndërkombëtarisht. Më tej, duke aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian aspiratën e përkthyem në proces në të cilin, e për të cilin angazhohemi çdo ditë.
E megjithkëto, përmirësimi i indikatorëve të luftimit të korrupsionit dhe respektimit të ligjit, nuk është i mjaftueshëm pa sistem të mirëfilltë, të pavarur e profesional të drejtësisë. Kjo bëhet e mundshme vetëm nëpërmjet Vetingut. Për këtë kemi finalizuar amendamentet Kushtetuese dhe draftin e parë të Projektligjit për Vetingun, i cili po vazhdon të jetë në trajtim e pa përgjigje nga Gjykata Kushtetuese tash e nëntë muaj. Vendi ynë nuk ka nevojë vetëm për drejtësi tash e tutje. Ka po aq nevojë edhe për drejtësi, edhe për të kaluarën. Prandaj e kemi Institutin për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të kryera gjatë Luftës në Kosovë, që për herë të parë po themelohet nëpërmjet ligjit, e që do të adresojë krimet e Serbisë në luftën e viteve 1998-1999.
I nderuari kabinet qeveritar,
Unë ju falënderoj për punën e deritanishme të gjithsecilit prej juve dhe stafeve të ministrive tuaja.
E pa humbur kohë, le ta vazhdojmë punën dhe shërbimin në këtë mbledhje të 174-të në të cilën ndër të tjera do të shqyrtohen për miratim gjashtë projektligje, ndër to edhe Projektligji për Regjistrin e Pronarëve Përfitues. Ky Projektligj, si mjet kundër korrupsionit e shpërlarjes së parave, do tregojë pronarin e fundit në zinxhir dhe adresën e fundit të përfitimit të parasë publike përmes proceseve tenderuese. Në vazhdim, do të shqyrtojmë për miratim edhe Projektligjin për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme, Projektligj ky i hartuar në dritën e standardeve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe udhëzimet e implementimit të këtyre standardeve të Këshillit të Evropës.
Ju falemnderit.