Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka vendosur lule mbi arkivolet e nëntë viktimave të masakrës së Rezallës që u gjetën në Serbi.
Kurti ka thënë se në vazhdimësi do të kërkojnë drejtësi për krimet çnjerëzore që Serbia i ka kryer ne Kosovë.
“Sot, 22 vite e gjysmë, pas ditës të kobshme, po kthehen për të pushuar përjetësisht në tokën e tyre: Shefqeti, Sadriu, Dibrani, Jonuzi, Hetemi, Neziri, Nazifi, Veseli e Behrami. Të pushkatuar me pothuajse të gjithë burrat dhe djemtë e rinj në Rezallë, më 5 prill të vitit 1999, nga forcat e sigurisë së Serbisë, u rrëmbyen e groposen, në varreza masive në Kizhevak e Rudnicë të Serbisë. Por e vërteta nuk mund të groposet e mbulohet në varreza masive”, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në ceremoninë e rivarrimit për viktimat e masakrës së Rezallës.
“Kemi obligim që të bëjmë gjithë sa mundemi që t’i prejmë rrugën drejtësisë së munguar, për krimet çnjerëzore të kryera nga forcat policore serbe dhe ushtria jugosllave gjatë luftës në Kosovë”, tha më tej ai.