Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë mbajtur konferencë për media, në lidhje me seancën e mbajtur nga Komisioni i Venecias, ku janë votuar dy opinione ligjore të rëndësishme për Kosovën, raporton Ekonomia Online.
Duke komentuar vendimin e Komisionit të Venecias, shefi i ekzekutivit, tha se Vettingu është i domosdoshëm në Kosovë, siç është edhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme.
Kurti tha se Vettingu i shumëpritur në sistemin e drejtësisë është i domosdoshëm.
“Rivlerësimi dhe verifikimi i aftësive të krerëve të pushteti gjyqësor e prokurorial nisin nga mekanizmat e jashtëm të pavarur. Jemi për të prezantuar reformën në sistemin gjyqësor, Vettingun dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme që komisioni i Venecias ia ka thënë besimin e plotë. Komisioni i Venecias na bind se reformat e propozuara janë adekuate dhe në pajtim me shtetet demokratike”, tha Kurti në një konferencë për media.
“Jo rrallëherë drejtësia është sfiduar në mënyra që nuk duhet toleruar. Është detyrë e jona që të veprojmë përmes reformave të mira. Përmes prokurorëve energjikë e gjyqtarëve të mençur. Reformimi i gjyqësorit përbrenda me akterët aktual nuk është i mundur. Këtë e kemi të konfirmuar prej Komisionit të Venecias. Rivlerësimin e verifikimin e aftësive të krerëve e nisim me mekanizmat e jashtëm të pavarur nga çdo ndërhyrje”, tha ai.
“Prezantojmë fillimin e reformës substanciale në sistemin gjyqësor. Vettingun dhe verifikimin e konfiskimin e pasurisë së paligjshme. Besimi që kemi marrë nga ju, na ka dhënë kurajo në luftimin e krimit dhe korrupsionit. Reformat e propozuara janë adekuate dhe në pajtim me vlerat demokratike”, tha Kurti.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në konferencën për medie:
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Të nderuar gazetarë,
Drejtësia dhe sundimi i ligjit janë shtylla të shtetit demokratik. Në mungesë të drejtësisë nuk mund të flasim për të drejtat e njeriut, për konkurrencë të lirë, për investime në ekonomi e as për punësim e demokraci.
Për këtë, programi ynë politik, i përkthyer edhe në plan qeverisës, synon mbi të gjitha drejtësinë.
Jo rrallë herë drejtësia është sfiduar në mënyra që nuk mund dhe nuk duhen toleruar.
Kërcënimet e atilla janë kërcënim ndaj mirëqenies dhe vetë jetesës sonë. Është detyrë e jona dhe obligim ndaj qytetarëve tanë, që të veprojmë përmes reformave të mira e përmbajtësore në dobi të drejtësisë dhe sundimit të ligjit.
Kur flasim për drejtësinë, mendojmë në radhë të parë për pushtet të fuqishëm gjyqësor, që vepron me efikasitet e në bazë të parimeve të profesionalizmit dhe integritetit, përmes prokurorëve energjikë e gjyqtarëve të mençur, që merr fuqinë përmes urtësisë e autoritetin nga besimi qytetar.
Të gjithë jemi dëshmitarë të njollosjes së shpeshtë të gjyqësorit nga vetë gjyqtarë e prokurorë me veprime e sjellje të pamatura e të pandërgjegjshme, të korruptuara apo të ngjyrosura politikisht.
Gjyqësorja e tillë kërcënon lirinë e sfidon shtetësinë. Gjyqësorë të atillë nuk duhen.
Reformimi i gjyqësorit përbrenda nën ndikimin e mekanizmave aktualë e akterëve momentalë, nuk është i mundur.
Këtë e kemi të konfirmuar edhe me opinionet e pranuara nga Komisioni i Venecias.
Përderisa nuk ka dyshim që mekanizmat e ndërtuar kanë potencial të sigurojnë pavarësi, të njëjtën nuk mund ta bëjnë nën drejtimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të mveshur me dyshimin për mungesë etike, profesionalizmi e efikasiteti.
Prandaj, rivlerësimin e verifikimin e aftësive të krerëve të pushtetit gjyqësor e prokurorial, e nisim me mekanizmat e jashtëm, të pavarur nga çdo ndërhyrje.
Të nderuar të pranishëm,
Sot jam para jush së bashku me Ministren e Drejtësisë, zonjën Albulena Haxhiu, për të prezantuar fillimin e reformës substanciale në sistemin gjyqësor, vetingun dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Të dy këto, të vlerësuara lart edhe nga Komisioni i Venecias, që Qeverisë së Republikës së Kosovës ia ka falur besimin e plotë, profesional për të jetësuar reformën e premtuar.
Besimi që kemi marrë nga ju në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit të kaluar, na ka dhënë kurajo në luftimin e krimit, korrupsionit dhe politizimit në gjyqësor, kurse Komisioni i Venecias na bindë që reformat e propozuara janë adekuate dhe në pajtim me politikat e shteteve demokratike.
Të dashur qytetarë,
Që nga fillimi i mandatit tonë qeverisës dhe afrimi i pushtetit me qytetarin, ju keni ardhur shpesh për ta shprehur pakënaqësinë me procedurat e tejzgjatura gjyqësore, mosveprim të prokurorisë, humbje të mirëqenies, për shkak të joprofesionalizmit e ndarje selektive të drejtësisë.
Ato që na i keni treguar ju, kanë korresponduar me ato që i kemi ditur ne. Vetingu është i domosdoshëm, porsi edhe konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.
Sot fillojmë me jetësimin e punës njëvjeçare të Ministrisë së Drejtësisë, në realizimin e këtyre proceseve jetike për Kosovën me përkrahjen e Komisionit të Venecias.
Gjithçka që kërkohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, që e drejtoj unë, do t’i dërgohen Kuvendit në një afat rekord, pasi që reforma më nuk mund të presë e qytetari më nuk mund të durojë.
Besimi i qytetarit do të përkthehet në punë, kurse puna në rezultat të pritur për më shumë se një dekadë.
Pas miratimit të Strategjisë për Sundimin e Ligjit, reformimin e sistemit prokurorial dhe planifikimit të krijimit sa më të shpejtë të Gjykatës Komerciale, hapim rrugën për vetingun e shumëpritur, të kompletuar me Ligjin për Byronë për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.
Siç e dini, këtë të fundit, Kryeparlamentari Glauk Konjufca e ka dërguar në Komision të Venecias, duke dëshmuar përkushtim ndaj profesionalizmit në ndërmarrjen e veprimeve konkrete për të luftuar të padrejtën.
Për këtë, Komisioni i Venecias jo vetëm që na ka treguar afinitet të plotë, por ka kërkuar edhe zgjerim të kompetencave të mekanizimit për verifikimin e pasurisë së pajustifikuar.
Të gjitha këto do t’i jetësojmë së bashku me ju e me mbështetjen tuaj.
I gëzohem sot po aq sa ju, fillimit të ri për sundimin e ligjit dhe kthimit të besimit të të gjithë neve në pushtetin gjyqësor.
Ju faleminderit, e tash po ia kaloj fjalën Ministres së Drejtësisë, zonjës Albulena Haxhiu, e cila ka ateruar në Aeroportin e Prishtinës para më pak se një ore e gjysmë dhe na është bashkëngjitur në këtë konferencë të jashtëzakonshme për media.