Në ditën e parë të punimeve në ndërtimin e Palestrës Sportive në Zhegër, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përgëzuar punëtorët për punën në këtë infrastrukturë të rëndësishme sportive për Zhegrën dhe Gjilanin.
Në këtë vizitë, kryeministri u shoqërua nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, zëvendësministrja Daulina Osmani dhe Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.
Kurti ka thënë se Zhegra i ka dhënë jo vetëm historisë dhe ekonomisë, por edhe kulturës e sportit, dhe se Qeveria ka ndarë fonde për ta përmbyllur suksesshëm këtë projekt.
“Ne e kemi për obligim që të investojmë këtu dhe kësisoj ta shpiejmë përpara sportin, por edhe aktivitetin shoqëror të këtij vendi. Sporti nuk është veç për sportistët, por është për gjithë sportdashësit, e po ashtu sporti është edhe shëndet. Andaj, ne kemi interes që atë ta bëjmë edhe kulturë të popullsisë, dhe kjo infrastrukturë e re, për të cilën ne nuk do të vonojmë e kursejmë, do të ndihmojë shumë në këtë drejtim”, shtoi ai.
Ky projekt ishte nisur nga komuna e Gjilanit, në bazë të një memorandumi mirëkuptimi me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në vitin 2017, me kontratë deri në vitin 2019. Ndonëse ishte punuar në një pjesë të projektit, për shkak të parregullsive me komunën dhe me pagesat, Operatori Ekonomik e kishte shkëputur kontratën.
Punimet kanë rifilluar sot, pasi gjatë këtij viti Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur tender për një Operator Ekonomik të ri për vazhdim të projektit. Kontrata është nënshkruar më 22 dhjetor 2021, për projektin aktual në vlerë prej 1.2 milion euro.