Kurti viziton Agjencinë Kadastrale: Për dy vjet investuam 16 milionë euro

Prishtinë | 18 Pri 2023 | 10:46 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Agjencinë Kadastrale të Kosovës (AKK), raporton Ekonomia Online.

Në takim e ka pritur  Zv.drejtori i Përgjithshëm i AKK-së Avni Ahmeti. Kurti tha se Qeveri e tij gjatë dy viteve në AKK është duke i investuar 16 milionë euro.

Ai tha se objekti i ri që do të ndërtohet është mbi 4 mijë metra katror dhe do të kushtoj mbi 2 milionë euro, përderisa tha se për 20 vjet ishin investuar veç 20 milionë euro.

“Parimet dhe objektivat e një agjencie shtetërore gjithmonë duhet të kenë në cak shërbenim transparent dhe shërbime të shpejta ndaj qytetarëve ndaj qytetarëve. Përkrahje e qeverisë për këtë institucion nuk do të mungojë. Ndryshimet tranfsormuse po bëhen në gjitha institucionet e administratave. 20 milionë euro janë investuar gjatë 20  viteve në AKK, tash gjatë qeverisjes tonë 2 vjeçare janë duke u investuar 16 milionë euro”.

“Digjitalizimi ka përshpejtuar punën, pritet që në digjitalizim të ri të kemi një aerofotografi të rë të territorit të Kosovës. Kadastra për një shtet është pasqyra që e shohim vetën. Shpronësimet shpesh herë janë keqpërdorur, me lejoni ta përgëzoj ministrin Aliu që arritëm që 75 milionë euro nga borxhi i gjithmbarshëm i shpronësimit. Krijimi i kushteve të punës për Agjencinë është i nevojshëm. Objekti i ri i AKK-së 4 mijë metra katror dhe kushton 2.1 milionë euro”.

Ministri Liburn Aliu, tha se objekti i ri do ta lehtësoj më shumë punën e kadastrës, duke shtuar se po punohet edhe në digjitalizim.

“Uroj që objektin të cilin do ta vendosim sot te na krijoj kushte me të lehta në fushën e kadastrës. Ndërtimi i tij nuk është punë e lehtë, do të punojmë që të kemi një kadastër me punë sa më të lehtë. Në gjitha komuna e vërejmë që ka probleme me kadastër, digjitalizimi është një pjesë që e lehtëson këtë punë. Projekti i radhës që është aerfotografimi me një cilësi të larët do të mundësoj projekte të reja. Si ministri i kemi bërë disa harta”, tha ai.

Pas takimit kryeministri Kurti së bashku me ministrin e MMPHI-së Liburn Aliu dhe Zv. Drejtorin e përgjithshëm të AKK-së Avni Ahmeti, do të vendosin  gurthemelin për objektin e ri të AKK-së, në rrugën “Nekibe Kelmendi”, te Pallati i Drejtësisë.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti gjatë vizitës në Agjencinë Kadastrale të Kosovës:

I nderuar ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, z. Liburn Aliu,

Të nderuar punonjës të Agjencisë Kadastrale të Kosovës,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Mirë se po e gjejmë njëri tjetrën në këtë mëngjes të sotëm. Parimet dhe objektivat e një agjencie shtetërore gjithmonë duhet të kenë në cak shërbimin e qasshëm, transparent dhe të shpejtë për qytetarët. 

Agjencia Kadastrale e ka një rol të rëndësishëm për mirëmbajtjen e bazës së të dhënave kadastrale, regjistrave pronësor, për hartografe dhe sistemit të informacioneve gjeografike GIS, për infrastrukturë kombëtare të informacioneve hapësinore si dhe administrim të infrastrukturës së teknologjisë së informacioneve. Përkrahja e qeverisë për këtë institucion nuk do të mungojë, sepse nevojiten procese që zhvillohen në mënyrë transparente, të qasshme për qytetarët dhe të jenë në hap me kohën.

Ndryshimet transformuese po bëhen në shumë pjesë të institucioneve dhe të administratës shtetërore, e edhe këtu. Për 20 vite përafërsisht 20 milionë euro janë investuar në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, tash gjatë qeverisjes sonë dy vjeçare janë duke u investuar edhe rreth 16 milionë euro. Pra, sa është investuar 20 vite nga qeveritë paraprake marrë bashkërisht ato, 80 për qind të asaj shume është duke u investuar vetëm deri në gjysmën e mandatit tonë.

Përmes infrastrukturës së duhur ligjore me aprovim të Ligjit për infrastrukturën kombëtare të informacionit hapësinor dhe Ligjit për kadastër që pritet të miratohet së shpejti në Kuvendin e Republikës, përkushtimi dhe investimi ynë në këtë agjenci mundëson që qytetarët të kenë shërbime të shpejta. Tani ata nuk duhet të presin me ditë të tëra për të tërhequr një dokument të pronësisë në komunë, por për një kohë shumë të shkurtër mund ta tërheqin dokumentin përmes shërbimeve online në e-Kosova, që e ka tejkaluar numrin prej 130 shërbimeve tanimë.

Digjitalizimi ka përshpejtuar punën përbrenda institucionit për qytetarët. Përmes digjitalizimit, qytetari tanimë mund edhe të ndjekë rrjedhën e lëndës së tyre, pra ta ndjekë edhe procesin e jo vetëm fillimin e mbarimin e tij.

Pritet, që në digjitalizim e sipër të kemi një aerofotografim të ri të territorit të Republikës dhe ta zhvillojmë projektin e krijimit 3D të objekteve të ndërtuara në vend.

Përbrenda dy viteve, do të vendosim edhe tabelat e fundit të adresave të rrugëve dhe numrat e objekteve për komunat e mbetura në territorin e Republikës sonë.

Këto janë vetëm disa nga shumë reforma që po i ndërmarrim bashkërisht. Agjencia Kadastrale e Kosovës, përbrenda Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, luan rol kyç edhe në përfundimin e suksesshëm të projekteve të shumta infrastrukturore.

Andaj, edhe detyra e përgjegjësia rritet përderisa edhe tani janë duke u zhvilluar paralelisht projekte të rëndësishme anembanë Kosovës.

Ne jemi shumë të vetëdijshëm, që kadastri për një shtet është pasqyra, në të cilën ai vend e shikon veten. Andaj, duhet ta kemi sa më të saktë atë, që ta dimë se kush jemi e si dukemi.

Një sfidë e vazhdueshme e projekteve infrastrukturore kanë qenë shpronësimet. Ato shpeshherë janë keqpërdorur në kurriz të qytetarëve. Kjo për ne është e papranueshme dhe e patolerueshme, andaj puna e mirë dhe e drejtë është synimi ynë i vetëm. 

Me këtë rast, më lejoni ta përgëzoj Ministrinë, ministrin Aliu që brenda dy viteve kemi arritur të përfundojmë pagesat për 75 milionë euro nga borxhi i gjithmbarshëm i shpronësimeve që ishte 183 milionë euro. Ndërkaq, 25 milionë euro tjera janë buxhetuar për këtë vit, i bie që për tri vjet nga gjithë borxhi i trashëguar 183 milionë euro do ta kryejmë rreth 55 për qind për tri vjetët e qeverisjes sonë dhe kur paraja publike pra menaxhohet mirë dhe nuk vidhet kemi më shumë punë të mira edhe më pak borxhe.

Marrë parasysh rëndësinë shtetërore të kadastrit për qytetarët edhe krijimi i kushteve të punës për stafin e Agjencisë është shumë i nevojshëm, andaj edhe jemi këtu sot që së bashku pas këtij takimi ta vendosim gurthemelin për ndërtesën e re me hapësirë rreth 4 mijë metra katrorë dhe me vlerë prej 2.1 milionë euro. Përgjatë përfundimit të saj do të sigurohemi që reformat në dobi të Agjencisë pra të qytetarëve të mos ndalen edhe kushte të mira për punëtorët, por edhe reforma të brendshme e punë për qytetarët.

Andaj urime dhe ta gëzoni me punë të mbara e me suksese në vijim.

Faleminderit!

Të ngjashme