Kurti viziton shtëpinë e profesorit, poetit dhe veprimtarit Latif Berisha në veri të Mitrovicës

Prishtinë | 24 Mar 2026 | 19:47 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në 27- vjetorin e vrasjes së profesorit, poetit dhe veprimtarit të shquar Latif Berisha, vizitoi shtëpinë e tij të djegur dhe shkatërruar në veri të Mitrovicës.

Kryeministri Kurti theksoi se në nderim të jetës, veprës dhe qëndresës së profesorit Berisha, si dhe qytetarëve të kësaj zone, të cilët u vranë edhe pas luftës në pronat e tyre, shtëpia do të shndërrohet në muze.

“Profesor Latif Berisha ishte një figurë e rëndësishme e arsimit, kulturës dhe rezistencës kombëtare, i cili me punën dhe veprën e tij la gjurmë të pashlyeshme në jetën intelektuale shqiptare. Për dekada me radhë i shërbeu arsimit dhe letërsisë shqipe si profesor universitar, studiues dhe autor tekstesh shkollore, duke edukuar breza të tërë dhe duke kontribuar në ruajtjen e identitetit kombëtar në kohë të vështira. Edhe pas largimit të dhunshëm nga puna në vitet ’90, ai vazhdoi të mbetet në shërbim të arsimit dhe çështjes kombëtare”, tha kryeministri Kurti.

Në emër të familjes, e bija e profesorit, Fatmire Berisha, falënderoi kryeministrin Kurti për angazhimin e tij dhe u shpreh e lumtur që banorët, më në fund, po kthehen në shtëpitë e tyre në veri të lumit Ibër.

Të ngjashme