Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar 44-vjetorin e vrasjes së Jusuf Gërvallës, vëllait të tij Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekës, duke theksuar se krimi i kryer nga shërbimet sekrete jugosllave nuk duhet të mbetet pa u zbardhur.
Në një postim, Kurti rikujtoi se vrasja ndodhi vetëm rreth nëntë muaj pas demonstratave të vitit 1981, të cilat u shtypën me dhunë dhe u pasuan nga përndjekje, arrestime arbitrare dhe burgosje politike. “Vetëm rreth nëntë muaj pas demostratave të vitit 1981, shërbimet sekrete jugosllave i vranë në Stuttgart të Gjermanisë, Jusuf Gërvallën me vëllain e tij Bardhoshin si dhe Kadri Zekën”, ka shkruar Kurti.
Sipas tij, Jugosllavia dhe Serbia goditën këta veprimtarë pikërisht në kohën kur organizimi për Republikën e Kosovës, për bashkim, barazi dhe çlirim po merrte përmasa gjithnjë e më të mëdha.
“44 vite më parë, Jugosllavia e Serbia goditën Kadriun, Jusufin dhe Bardhoshin, atëherë kur organizimi për Republikën e Kosovës po rritej”, ka theksuar Kurti.
Kryeministri bëri të ditur se sot janë bërë homazhe në Dubovik të Deçanit, ku delegacioni është mirëpritur nga e bija e Jusuf Gërvallës, Donika Gërvalla, ministre në detyrë e Punëve të Jashtme. Po ashtu, Kurti njoftoi se është vizituar edhe familja e Kadri Zekës, ku janë pritur nga Izmi Zeka, Zenun Pajaziti dhe familja e gjerë.
Duke folur për kontributin e tyre, Kurti vlerësoi se ata nuk ishin vetëm patriotë, por edhe krijues e intelektualë të shquar.
“Përveçse patriotë, ata ishin aktivistë, krijues, gazetarë dhe intelektualë. Me vrasjen e tyre nuk kemi humbur vetëm tre veprimtarë, por edhe poetë e shkrimtarë që kontribonin përmes ideve dhe pendës”, ka shkruar ai.
Kurti theksoi se drejtësia për këtë krim mbetet e domosdoshme.
“Vrasja e tyre nuk duhet të mbetet pa u ndriçuar. Zbardhja e së vërtetës, edhe sa i përket urdhërdhënësve dhe ekzekutorëve, duhet të ndodhë që të mundësohet drejtësia dhe ndëshkimi”, ka përfunduar Kurti, duke nderuar kujtimin e tyre me fjalët: “Lavdi Jusufit, Bardhoshit, Kadriut dhe të gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar!”