Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pranuar letër urim nga homologu i tij holandez, Mark Rutte.
Në letrën e tij, kryeministri Rutte e ka uruar kryeministrin Kurti për pozitën e re dhe i ka dëshiruar suksese në detyrat e rëndësishme që e presin.
Vendet tona, sikurse edhe pjesa tjetër e Evropës, janë duke u përballur me një sfidë të papërshkrueshme siç është ajo nga COVID-19, thuhet në letër.
Kryeministri Rutte shprehet i kënaqur që Bashkimi Evropian ka pasur mundësinë që t’i ndihmojë Kosovës nëpërmjet pakos ndihmuese për Ballkanin Perëndimor dhe mekanizmit COVAX për sigurimin e vaksinave të sigurta kundër COVID-19. Ngjashëm i kishte dalë në ndihmë vitin e kaluar Kosovës Holanda edhe nëpërmjet donacionit bilateral për pajisje personale mbrojtëse për Qendrën e Klinikave Universitare të Kosovës.
Kryeminstri Rutte e ka siguruar kryeministrin Kurti se Holanda e mbështetë Kosovën me gjithë zemër në përpjekjet e saj për të luftuar korrupsionin dhe për të fuqizuar sundimin e ligjit.
Për këtë thotë ai, ju si kryeministër e keni marrë një mandat të fortë nga populli i Kosovës, që së bashku me zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore përbëjnë elementet kryesore të Kosovës drejt Evropës dhe integrimit evropian. Holanda është e përkushtuar ndaj rrugës së Kosovës drejt integrimit evropian, thuhet në letër urimin e kryeministrit të Holandës, Mark Rutte.