Turizmi në Kosovë është një përvojë e mrekullueshme për të zbuluar peizazhet natyrore, trashëgiminë kulturore dhe gjestin mikpritës të popullit kosovar.
Kryetari i Shoqatës së Turizmit në Kosovë, Ruzhdi Kurtishaj, theksoi se Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm natyror për të zhvilluar turizmin, por çalohet në aspektin e infrastrukturës.
“Ndonëse turizmi është një sektor shumë i ndjeshëm, është kënaqësi e madhe të punosh në turizëm. Prandaj, unë i inkurajoj të rinjtë e Kosovës, që të mos udhëtojnë drejt vendeve të treta, por të fillojnë planifikimin e tyre që nga shkolla e mesme dhe universiteti, për të kontribuar në turizëm në vendin tonë”, tha për Radio KFOR, Ruzhdi Kurtishaj, kryetar i Shoqatës së Turizmit në Kosovë, që funksionon në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK).
Sipas tij turizmi është një sektor që punëson me mijëra qytetarë brenda vendit dhe njëkohësisht krijon të hyra për vete e për buxhetin e vendit.
“Andaj, është një profesion jashtëzakonisht atraktiv, për një profesion që të jep mundësi të shumta të komunikimit me shumë njerëz dhe të njihesh edhe me kultura të ndryshme”, theksoi ai.
Natyra e Kosovës është një thesar i fshehur për turistët. Ky vend i vogël i Ballkanit, ka një shumëllojshmëri të pasur të peizazheve natyrore dhe një trashëgimi kulturore të çmuar. Theksojmë se edhe New York Times, e ka përfshirë Kosovën në listën e 41 vendeve që ia vlen të vizitohen.