Kurtishaj: Kosovarët të respektojnë rregullat e liberalizimit të vizave

Prishtinë | 24 Dhj 2023 | 11:16 | Nga Ekonomia Online

Tashmë edhe pak ditë kanë mbetur që qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm në zonën Shengen pa pasur nevojë të pajisen me vizë.

E për lëvizje në vendet evropiane qytetarët duhet të kenë biletë kthyese, të kenë datën e kthimit, kurse qytetarët të cilët do të udhëtojnë me makinat e tyre duhet të kenë një adresë dhe numër telefoni të atyre që do t’i vizitojnë, po ashtu duhet të kenë edhe mjete financiare, sqaroi në emisionin “Mirëmëngjesi” në RTK, kryetari i Shoqatës së Turizmit të Kosovës që vepron në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Ruzhdi Kurtishaj.

Ai tha se janë disa procedura që nuk janë të veçanta për qytetarët ë Kosovës, por janë procedura që i kanë kaluar edhe qytetarët e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Sipas tij ajo që është shumë e rëndësishme që ta dinë qytetarët është se kjo lëvizje nuk u jep të drejtën e punës në shtetet evropiane dhe se brenda periudhës gjashtë mujore qytetarët nuk mund të qëndrojnë më shumë se 90 ditë, duke theksuar se ata patjetër duhet të kthehen sepse nëse nuk e respektojnë qëndrimin e lejuar atje sigurisht pasojnë edhe ndëshkimet dhe ndalesat për të hyrë në vendet e Bashkimit Evropian.

Tutje Kurtishaj tha se Kosova ka qenë e gatshme për me tepër se 10 vite sa i përket procesit së liberalizimit të vizave, por theksoi se tani më kemi ardhur te kjo ditë.

“Qytetarët e Kosovës kanë qenë të shkelur nga Bashkimit Evropian. Kjo ditë është me rëndësi për Kosovë, do të ndikojë tek rinia, do të shkojnë në BE dhe do të shohin si është jeta atje, si është puna, ata do të shkojnë atje do të shohin punë, dhe do të kthehen me praktikat e mira në Kosovë”, tha ai.

Sipas tij, heqja e vizave për Kosovën është mundësi jo vetëm për vizita, por edhe njohje e punës dhe praktikës së punës dhe disiplinës në BE”, tha Kurtishaj. Ai përmendi edhe ri renditjen ekonomike, si Covid19, pastaj lufta në Ukrainë dhe së fundi lufta mes Izraelit me grupin terrorist Hamas.

Kreu i Shoqatës së Turizmit të Kosovës, tha se janë të përgatitur për të 1 Janarin e vitit 2024, ku do të mund të ketë më shumë kërkesa për udhëtime qoftë më autobus, apo dhe aeroplan.

Kurtishaj kërkoi që të vazhdohet me informimin e qytetarëve për liberalizim të vizave, pasi që në BE nuk është sikur mendohet, pasi që atje është një praktikë tjetër dhe disiplinë tjetër.,

Të ngjashme