Deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, thotë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është betuar para gjyqtarëve serbë, dhe jo ata para presidentit.
Duke u bazuar në dokumentet e publikuara së fundmi, Kurti ka thënë se në to nuk shihet as logo, as memorandum dhe as nuk përmendet Republika e Kosovës apo Kushtetuta.
“Integrimi i Presidentit. Pardje, u publikua jozyrtarisht teksti zyrtar i emërimit të gjyqtarëve serbë nga veriu i Kosovës. Mbase publikimi është më zyrtar sesa dokumenti i emërimit. Ai nuk ka logo e as memorandum apo çfarëdo pjese hyrëse sipër dhe si i tillë ngjan fort jozyrtar. Këta gjyqtarë dhe prokurorë qenkan emëruar duke nënshkruar deklaratë që askund nuk përmend Republikën e Kosovës ose Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Përmendet vetëm Kosova, legjislacioni i Kosovës dhe konkluzionet e dakorduara për proces të integrimit – pra, nuk shprehet në asnjë mënyrë lojaliteti i gjyqtarëve dhe prokurorëve në fjalë ndaj shtetit të Kosovës. E, në vend të Kushtetutës së Kosovës këta thuhet se paskan si bazë Marrëveshjen e Parë (Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013)”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Sipas Kurtit, si pjesë të Marrëveshjes së Parë për Drejtësi të 10 shkurtit 2015, parashihet që kryetari i Gjykatës Themelore për rajonin e Mitrovicës të jetë serb. “Qytetarët serbë do të gjykohen vetëm nga zyrtarët serbë, kurse ata shqiptarë ku t’iu qëllojë”, ka shkruar më tej Kurti.
“Me këso teksti të emërimit, më parë sesa këta gjyqtarë e prokurorë të jenë betuar para Presidentit Thaçi duket se e kundërta ngjau: Thaçi hoqi gjithçka shtetërore, shmangu republikën duke depolitizuar Kosovën në term gjeografik, dhe, ishte ai që u betua para këtyre gjyqtarëve e prokurorëve që nuk e njohin Republikën e Kosovës, përkatësisht pavarësinë e shtetit tonë. Kësisoj, nuk po integrohen gjyqtarët e prokurorët serbë në shtetin e Kosovës, por Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po integrohet në drejtësinë e pajtuar me Serbinë”, ka shkruar në fund ai.