Kurz i dhuron kundër kandidates Lunacek letër nga Enver Hoxhaj (Video)

Prishtinë | 26 Sht 2017 | 15:37 | Nga

Në debatin e mbrëmshëm për zgjedhjet parlamentare në Austri, Sebastian Kurz nga Partia Popullore e Austrisë i ka bërë kundërshtares së tij, Ulrike Lunacek nga Partia e Gjelbër, një dhuratë nga Kosova.

Ministri aktual i Punëve të Jashtme, që është favorit për postin e kancelarit të Austrisë, Kurz i ka dhuruar Lunacekut një letër falënderimi, të shkruar dhe nënshkruar nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj.

Hoxhaj ka shprehur mirënjohjen për Lunacek, e cila për vite me radhë ka raportuar për Kosovën ndërkohë që mbante pozitën e eurodeputetes, si dhe ka qenë avokate e madhe në favor të liberalizimit të vizave për vendin tonë. Në këtë letër, Hoxhaj e falënderon eurodeputeten Lunacek për punën në forcimin e raporteve Kosovë-BE, dhe në perspektivën evropiane për Kosovën.

Siç mësohet, letra është shkruar personalisht nga zëvendëskryeministri Hoxhaj në shenjë miqësie dhe falënderimi për Kurz dhe Lunacek, me të cilët ka pasur bashkëpunim për një kohë të gjatë.

Televizioni Puls 4 ka publikuar këtë moment në faqen e tyre në internet dhe mund ta shihni në vazhdim:

https://www.puls4.com/Wahlkampf-2017/Videos/Clips/Ehe-fuer-ALLE.-Hochzeitstorte-fuer-Kurz

Kurz: Unë kam sjellë një dhuratë të zëvendëskryeministrit të Republikës së Kosovës, i cili e falënderon zonjën Lunacek për angazhimin shumë-vjeçar të saj në Kosovë.

Lunacek: Falemnderit shumë.

Moderatorja: Si e keni organizuar këtë letër falënderuese?

Kurz: Rajoni ku më së shumti jemi të angazhuar në politikën e jashtme është Ballkani Perëndimor, ku bën pjesë edhe Kosova. Për këtë arsye kemi shumë kontakte me shumë politikanë të atjeshëm. Politikanët, pavarësisht bindjeve të tyre politike janë shumë falënderues për angazhimin e Austrisë në këtë rajon. Me zonjën Lunacek nuk pajtohemi në shumë çështje, por në këtë pjesë jemi në vijë të njëjtë. Zonja Lunacek është angazhuar jashtëzakonisht shumë për këtë rajon, e posaçërisht për Kosovën dhe për këtë arsye shumë njerëz i janë falënderues.

Lunacek: Falemnderit shumë. Po, është e vërtetë. Enver Hoxhajn, zëvendëskryeministrin e njoh personalisht shumë mirë. Ai ka studiuar në Vjenë dhe e flet gjermanishten shkëlqyeshëm. Jam shumë e lumtur për këtë dhuratë.

Kurz: Ai e ka shkruar në gjermanisht…

Lunacek: Po, po e shoh. Nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova është një vend që më fle në shpirt dhe unë nga Austria angazhohem që të ecin ca çështje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme