Kryesuesi i Kuvendit, Adem Mikullovci ka thirrur dje një takim konsultativ me grupet parlamentare për të caktuar vazhdimin e seancës konstituive.
Një gjë të tillë tashmë e ka konfirmuar Lëvizja Vetëvendosje që nuk do të jetë pjesë e këtij takimi. Por, njësoj nuk veprojnë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës që për Indeksonline njoftuan se do të marrin pjesë në këtë takim.
Në anën tjetër nga radhët e partisë së Alternativës, pjesë e koalicionit LAA ende nuk kanë marrë ndonjë vendim zyrtarë rreth qëndrimit të tyre për këtë takim.
Mimoza Kusari-Lila kryetare e këtij subjekti ka thënë se duhet të shqyrtohen disa çështje dhe pastaj do ta marrin qëndrimin zyrtar për këtë takim.
“Përderisa për të mërkurën mbetet të kemi diskutim të përbashkët dhe të shohim se si do jetë përfaqësimi jonë. Nuk kemi ende vendim, por pas diskutimeve do tregojmë se si do të shkojmë në takim. Nuk mund të spekuloj sepse duhet t`i trajtojmë opsionet apo zgjidhjet të cilat janë në tavolinë”, ka thënë Kusari-Lila.
Kujtojmë se seanca konstituive është shtyrë prapë për arsye se deputetët e koalicionit PAN nuk ishin të pranishëm në sallë. Mirëpo kreu i PDK-së më herët ka deklaruar se është i gatshëm që të tërhiqet nga kandidatura për kryeparlamentar dhe ta kandidoj një tjetër, në rast se VV e LDK do ta votojnë qeverinë Haradinaj për kryeministër.