Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila ka reaguar pas sulmit terrorist të së premtës në dy xhami të Zelandës së Re ku mbetën të vdekur 50 persona dhe dhjetëra të tjerë të lënduar.
Me anë të një postimi në Facebook, Kusari ka drejtuar disa kritika për Qeverinë, e cila sipas saj nuk bëri asgjë për këto viktima, as lutje, as namaz e as meshë.
Ndër të tjera, deputetja e Kuvendit të Kosovës është shprehur se ky sulm nga Kosova është dënuar vetëm përmes rrjeteve sociale, duke e krahasuar me shtetet tjera të botës.
“A u frikësuam prej dikujt se këta njerëz të pafajshëm prej 3 vjeq deri ne 71 vjeq u vranë në xhami? A nuk na bëri përshtypje se ishin shumica migrantë të Lindjes së Mesme? Apo nuk e morrëm mesazhin prej dikujt të “fortë” se edhe Kosova duhet të lutet, të mbaj namaz e meshë për ta?! Unë sot turpërohem sa pa identitet dhe sa frikacak jemi. Unë sot skuqem sa shpejt kemi harruar si është të jesh në kërkim të lirisë dhe sa e bukur është ndjenja kur dikush ta hap derën dhe të ofron siguri”, ka shkruar Mimoza në Facebook.
Në fund, Kusari ka shkruar se nga dita kur ka ndodhur kjo tragjedi, ajo lutet jo vetëm për shpirtin e të vrarëve, por edhe për të gjallët që sipas saj, e harruam vlerën e jetës, vlerën e lirisë dhe të bashkëndjenjen me viktimën, pa marrë parasysh a janë musliman, të krishterë, hebrej, të bardhë, të zi, të verdhë apo të kaftë.
Personi i akuzuar për sulmet në xhami të premtën në Zelandën e Re, besohet se ka vepruar vetëm, kështu kanë njoftuar autoritetet e policisë. Australiani Brenton Tarrant, 28 vjeç transmetoi drejtpërdrejt sulmin në “Facebook”. Ndërsa tre të arrestuarit e tjerë nuk besohet të jenë përfshirë, tha komisioneri i policisë Mike Bush.
Pesëdhjetë persona u vranë dhe 50 të tjerë u plagosën në atë që është sulmi më i keq i Zelandës së Re. Duke folur për gazetarët kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern tha se takimet e kabinetit do të zhvilloheshin të hënën për të diskutuar çështjen, duke përfshirë edhe ligjin për armët. “Do të ketë ndryshime në ligjet tona të armëve”, tha ajo.