Iniciativa e re politike e kryetares së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila dhe ish-deputetit të VV-së, Ilir Deda, ndonëse ishte paralajmëruar se do të dalë zyrtarisht në tetor, kjo gjë ende nuk ka ndodhur.
Kursari-Lila në një prononcim për Telegrafin tha se ata në muajin tetor kanë dalë me grupin e parë të asamblistëve të Gjakovës, që u bën pjesë e kësaj iniciative politike.
Ajo tha se për momentin janë të fokusuar në formimin e këshillave iniciues nëpër komunat e Kosovës.
“Jemi duke u përpjekur që këshillat iniciues t’i funksionalizojmë deri në fundin e vitit, e pastaj me vazhdu me pjesët tjera”, ka shtuar ajo.
Kusari–Lila, ka theksuar se aktivitetet që po bëhen me këshillat iniciues nuk janë gjëra të cilat ata i bëjnë publike sepse është punë e cila po bëhet çdo ditë në terren.
Ajo ka folur edhe për prurjet në partinë e re, duke thënë se tash janë në fazën e organizimit, dhe kur është koha e nevojshme, të gjitha do t’i bëjnë publike.
Ndryshe, muaj më parë dy eksponentë të njohur të skenës politike kosovare, Mimoza Kusari – Lila dhe Ilir Deda, pas largimit nga partitë e tyre të mëparshme, Aleanca për Kosovë të Re (AKR) dhe Lëvizja Vetëvendosje (VV), paralajmëruan se shumë shpejt do të dalin më emrin e subjektit të ri politik.
Pavarësisht se tetori ishte muaji kur u tha se kjo parti do të dalë zyrtarisht në skenën politike, kjo ende nuk ka ndodhur. E vetmja gjë që ndodhi në tetor ishte lëvizja e disa asamblistëve të Komunës së Gjakovës në subjektin të cilin pritet ta themelojë e para e kësaj komune.