Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari -Lila, ka reaguar pas njoftimit në medie se kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj ka thirrur mbledhje të Qeverisë për nesër.
Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, ajo këtë vendim e ka quajtur të jashtëligjshëm duke thënë se që nga dorëheqja e tij, Haradinaj është vetëm kryetar i partisë së tij.
Ajo ka thënë se para se të hyjë në mbledhje të qeverisë, Haradinaj duhet urgjentisht që të shkarkojë këshilltarin e tij ligjor dhe të angazhojë një që ta mbrojë kur të ballafaqohet me pasojat ligjore të mbajtjes së mbledhjes së jashtëligjshme dhe abuzimit me detyrën të cilën vullnetarisht e dorëzoi.
Postimi i plotë:
Jashtëligjshmëria e mbledhjes së Qeverisë
Nesër në ora 14:00 është ftuar mbledhja e Qeverisë së Kosovës, nga ish – Kryeministri i Kosovës, i cili dha dorëheqje të parevokueshme nga ky post ditë më parë.
Rrjedhimisht, ai që nga momenti kur ia “dorëzoi” popullit mandatin, ish – Kryeministri është vetëm kryetar i partisë së tij dhe qytetar i thjeshtë i Republikës së Kosovës dhe i pushojnë të gjitha obligimet dhe përgjegjegjësitë e detyrës që mban, përfshirë edhe shkuarjen në zyre dhe vazhdimin e obligimeve të Kryeministrit.
Para se të hyjë nesër në ora 14:00 në sallën e mbledhjeve të Qeverisë, ish Kryeministri të lirojë URGJENTISHT nga detyra këshilltarin e tij ligjor dhe të angazhojë një tjetër i cili do ta mbrojë kur të ballafaqohet me pasojat ligjore të mbajtjes së mbledhjes së jashtëligjshme dhe abuzimit me detyrën të cilën vullnetrisht e dorëzoi.
Nëse ka planifikuar ish-Kryeministri të vazhdojë fushatën politike me resurset e shtetit të Kosovës të cilat i përdori deri më tani, është gabuar rëndë.
Qeveria është e shkarkuar vullnetarisht dhe me të edhe krejt të emëruarit e saj. Shkoni në shtëpi dhe mos e ngarkoni shtesë veten me shkelje, se deri më tani keni bërë mjaft.