Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, gjatë një vizite në kolegjin ISPE ka folur për qeverisjen e saj në Komunë si dhe planet nëse e fiton mandatin për qeverisje. Ajo ka thënë se është e rëndësishme që të përfundohet studimi i fizibilitetit të aeroportit të Gjakovës, raporton Ekonomia Online.
‘’ Në krejt këtë angazhim që e kam bërë e kam parë që nuk është e mjaftueshme për të bërë shumë vetëm për një mandat. Në Kosovë ka nevojë për më shumë fuqizim të vajzave dhe grave. Është e rëndësishme që të përfundohet studimi i fizibilitetit të aeroportit të Gjakovës. Si aeroport sekondar është shumë i rëndësishëm për industrinë e aviacionit civil’’, ka deklaruar Kusari-Lila.
Ndër të tjera, ajo ka treguar edhe për kohën kur ka hyrë në politikë, derisa ka përmendur edhe sfidat me qeverisje.
‘’Arsyeja e hyrjes time ne politikë ka qene niveli lokal. Procesi i drejtimit të Komunës është proces puromenagjerial. Në vitin 2011 mora udhëheqjen e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Atëherë, ministria e parë ka qenë Ministria e Administratës Publike, por unë nuk kam pranuar. Një ndër vendimet e para ishte ta ndërrojmë kahjen e Kosovës në rangimin e Bankës Botërore të bërit biznes. Objektivi tjetër ishte fillimi i negociatave për MSA-në, si dhe reformimi i plotë i agjencionit për regjistrim të biznesit. Menjëherë në vitin 2012, Kosova ka hyrë në rangim dy shifrorë’’, është shprehur ajo.
Kusari thotë se lufta më e madhe në Kosovë, ka ndodhur në Gjakovë. Për të cilën shprehet se nuk e ka marrë vëmendjen e duhur të Qeverisë.
‘’ Kostoja kryesore ka qenë të ballafaqohemi me pritjet e mëdha të njerëzve.Lufta më e madhe në Kosovë ka ndodh në Gjakovë e cila prinë me njerëz të vrarë dhe dëme që janë shkaktuar gjatë luftës. Ka pasur fatin qe edhe pas luftës mos ta ketë vëmendjen e duhur të qeverisë’’, ka thënë më tej Kusari-Lila.
Kusari – Lila, do të jetë sërish kandidate për kryetare të Komunës së Gjakovës, në zgjedhjet e 19 nëntorit.