Mimoza Kusari-Lila është ushtruesja e detyrës së Kryesuesit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, njofton partia e Albin Kurtit.
Sipas njoftimit të LVV-së, Kusari-Lila në mbledhjen e grupit parlamentar të mbajtur sot u votua për ta ushtruar këtë detyrë deri në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm.
“Nga 51 deputetë të pranishëm, me 45 vota PËR, 2 vota KUNDËR, 3 vota ABSTENTIM dhe 1 e zbrazët, znj Kusari-Lila u votua për drejtimin e grupit parlamentar.
Sipas Statutit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Shefi i Grupit Parlamentar votohet nga anëtarët e grupit parlamentar dhe zgjedhet nga Këshilli i Përgjithshëm”, thuhet në njoftimin dërguar mediave.
“Mimoza Kusari-Lila është deputetja që sidomos në legjislaturën e fundit ka treguar përkushtim dhe përgjegjësi të lartë në adresimin e çështjeve të rëndësishme për ne dhe për vendin”, thuhet ndër të tjera në njoftimin dërguar mediave.