Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e konsideron joserioze rezolutën e opozitës në seancën e jashtëzakonshme për energjinë elektrike. Fillimisht përmendi zbatimin e vendimit në katër komunat veriore, ku siç tha ajo është hera e parë që kemi heqjen e barrës nga buxheti i shtetit, raporton Ekonomia Online.
Ajo tha se kërkesa e sotme për seancën e jashtëzakonshme nuk përmban asnjë risi, por është përsëritje e kopje.
“Fillimisht do duhej të flisnim për zbatimin e energjisë në katër komunat e vendit. Kjo situate e re është hera e parë që zbatohet në kuptimin e mbushjes së obligimit qytetarë, e po ashtu kemi heqjen e barrës nga buxheti i shtetit. Nuk përmban asnjë risi, por kopje e përsëritje e të njëjtave kërkesa nga vitet e kaluara, kur situata me rrymë ishte më dramatike”.
Shefja e GP të VV tha se Qeveria po vazhdon t’ju qëndrojë afër qytetarëve, e sipas saj kjo rezolutë e prezantuar nuk është aspak serioze.
“Rezoluta e prezantuar nuk është serioze nuk bën zgjidhje. Zgjidhjet e vetme që i keni ofru janë: seanca të jashtëzakonshme, komisione për sektorin e energjisë në mesin e krizës dhe keni abstenuar në zhvillimin e politikave për sektorin e energjisë”, tha Kusari-Lila para deputetëve.
“Sfidat shumë vjeçare të këtij sektori janë edhe përgjegjësi e juaja nga tëre dekada e fundit. Përkundër abstenimit tuaj në këtë proces pozita dhe qeveria kanë qenë seriozisht të angazhuar për tu përballuar me situatën e vështirë energjetike”, tha Kusari-Lila.
“Se ka dyshim për faturim jo të saktë, është fakt evident për të cilin qytetarët duhet t’i drejtohen KESCO dhe ZRREE. Përderisa ne si ligjvënës kemi mundësinë të ftojmë ZRrE për të raportuar mbi procesin e shqyrtimit të ankesave të qytetarëve dhe masat e ndërmarra ndaj furnitorit KESCO, gjithashtu duhet të jemi pjesëmarrës aktiv në shqyrtimin e rregullt tarifor. Për informatën tuaj furnitori i shërbimit universal deri më 22 janar të dhënat me koston aktuale ndërsa më së largu me 5 shkurt ZRrE duhet të njoftoj lidhur me vlerësimin e tyre për propozimet e marra”, tha shefja e deputetëve të VV-së në seancën e jashtëzakonshme për energjinë.