Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka falënderuar deputetët e të gjitha partive në Kuvendin e Kosovës, për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtar, raporton Ekonomia Online.
Sipas saj, përmes miratimit të këtyre marrëveshjeve, Kosova do të përfitojë projekte në vlerë 275 milionë euro.
“Sot Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi tetë Marrëveshje Ndërkombëtare. Ndërsa, javën që lamë pas deputetët e Kuvendit gjithashtu votuan dymbëdhjetë (12) Marrëveshje Ndërkombëtare, duke miratuar kështu projekte në vlerë totale prej 275 milion Euro”, ka thënë Kusari-Lila përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook.
Ajo ka vlerësuar edhe konstruktivitetin e treguar nga deputetët e opozitës.
“Me ketë rast, falënderoj deputetët e Kuvendit të Kosovës nga të gjitha grupeve parlamentare për bashkëpunimin dhe konstruktivitetin e treguar në shtyrjen përpara të agjendës legjislative”, ka theksuar ajo.
Votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nga PDK-ja, erdhi pas takimit që pati kryetari i saj me kryeministrin Albin Kurti.