Kusari-Lila nuk e sheh të pamundshme udhëheqjen e politikës nga gratë

Prishtinë | 18 Qer 2019 | 11:02 | Nga Liridona Ahma

Mimoza Kusari – Lila ka lindur me 16 tetor 1975 në Gjakovë.

Fëmijëria e saj është e ndarë në dy pjesë, një pjesë në Pejë dhe pjesa tjetër në Gjakovë, ngase nëna e saj ishte nga Peja e babai nga Gjakova. Tri vjet të shkollës fillore i ka përfunduar në Pejë, e pastaj është kthyer me vendbanim të përhershëm në Gjakovë, ku ka mbaruar shkollën fillore dhe të mesme. Në vitet 1993-1998 ka qenë studente në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Ekonomik. Studimet është dashur t’i financojë vetë dhe t’i ndihmojë familjes për shkak të kushteve të vështira ekonomike që kanë ekzistuar asokohe në Kosovë. Ajo ka punuar si libërmbajtëse në një depo private.

Në vitin 1998 gjatë periudhës së ofanzivës serbe ndaj rajoneve të caktuara në Kosovë, sidomos në Drenicë dhe në Dukagjin, Mimoza ka filluar punën me organizata të huaja si me “Mjekë pa kufi” në Prishtinë, me të cilët së bashku ka shpërndarë ushqime dhe veshmbathje në këto zona.

Në janar të vitit 1999, Mimoza filloi punën tjetër me vëzhguesit ndërkombëtarë në kuadër të OSBE-së në Gjakovë, dhe për tre muaj radhazi, derisa ka filluar lufta, ajo punoi si përkthyese. Në të njëjtën periudhë, gjatë kohës kur punonte si përkthyese, ajo informohet nga profesori i saj, Muhamet Mustafa për një mundësi studimi në Amerikë me bursë. Ajo tregon se menjëherë shprehi interesim dhe shkoi në intervistë, e cila asokohe u desh të mbahej në Shkup për shkak të rrethanave politike jo të mira që ishin në Kosovë.

Shkuarja në Shkup ka bërë një kthesë në jetën e saj, e ka shënuar një kapitull të ri sepse në kohën kur ka shkuar, forcat maqedonase me 21 mars 1999 vetëm kishin filluar ta mbyllnin kufirin për të parandaluar ardhjen e refugjatëve nga Kosova.  


Mimoza ngelet atje dhe e merr statusin e refugjates. Në Shkup, ajo fillon punën me Radion Nacionale Publike Amerikane dhe përgjatë tre muajve nuk ka kontakt me asnjë familjar të saj në Kosovë. Gjatë qëndrimit në Shkup, ajo merr lajmin që ka fituar bursën dhe me 12 qershor 1999, fluturon drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Atje ajo përfundon studimet master në Administrim biznesi, në Universitetin e Kolorados dhe në Universitetin e Duquesne në Pittsburg.

“Shkuarja në Amerikë ishte komplet si një botë tjetër. Përjetova dy procese kulturore paralele të adaptimit. Niveli i parë ka qenë adaptimi i kulturës së re dhe mungesa e familjes. Niveli i dytë ishte kthimi në normalitet. Unë vija prej një rajoni që është me represion, mësimin e patëm bërë në objekte private në mungesë normaliteti dhe përnjëherë unë u inkuadrova në një sistem komplet tjetër” – tregon Kusari Lila.

Mimoza thotë se krejt këto përvoja në vetvete, sfidë pas sfide, kanë ndikuar që ajo të bëhet personi që është, të jetë më e fortë në sfida, dhe e kanë kalitur që ballafaqimi me sfida të jetë më i lehtë.


Gjatë studimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ajo ka punuar në Zyrën për Marrëdhënie Ndërkombëtare, ku ka bërë menaxhimin e dosjeve për të rinjtë që bëheshin pjesë e Institutit Ekonomik. Po ashtu, në vitin 2000 në Duquesne University i është ofruar puna si TA (teaching assistant) në zyrën ndërkombëtare, ku gjatë asaj kohe ajo themeloi edhe Asociacionin e Grave në Biznes në universitet.

Pitsburgu ishte i njohur si vendi që kishte të zhvilluar industrinë e rëndë, e cila dominohej nga gjinia mashkullore. Po ashtu shkollat e biznesit dominoheshin nga studentët meshkuj dhe kjo ishte arsyeja kryesore pse Mimoza vendosi të themelojë Asociacionin e Grave në Biznes në Duquesne University. Në këtë mënyrë u bë themeluesja dhe presidentja e parë ndërkombëtare e Asociacionit të Grave në Biznes.

Në vitin 2001 kur ajo u kthye në Kosovë, filloi punën në Bankën Botërore për një periudhë, pastaj punoi si konsulente biznesi për një projekt të USAID-it. Gjatë vitit 2002 ajo kontaktohet prej Ambasadës Amerikane në Kosovë të cilët i ofrojnë punën si menaxhere e projektit për fondacionin e Universitetit Amerikan në Kosovë (AUK).  


Në këtë program ka punuar deri në momentin kur është promovuar AUK-u dhe ka filluar viti i parë akademik. Gjatë promovimit të AUK-ut ka zënë vëmendjen e një konsulenteje, e cila ka qenë duke punuar në zyrën e kryeminstrit, Bajram Rexhepit, në atë kohë.

Ftesa e parë për t’u njoftuar me politikën, i bëhet po gjatë kësaj kohe, kur zyrja e kryeministrit ishte duke kaluar në një ristrukturim, ku sipas Kusari-Lilës, kërkonin persona që ishin jashtë politikës për staf.

“Puna si zëdhënëse gjatë mandatit ka qenë me shumë sfida, ishte qeveri e një koalicioni të gjerë me tri parti dhe 12 ministri. Aty e kam kuptuar kompleksitetin e rrethanave të politikës dhe pas mbarimit të mandatit, në vete e kam pasur bindjen që asnjëherë më nuk do të merrem me politikë, sepse rrethanat ishin të vrazhda për politikën.”


Periudhën në vazhdim, pas shërbimit si zëdhënëse e zyrës së kryeministrit, për tri vjet e gjysmë, Mimoza e vazhdoi duke punuar në Odën Ekonomike Amerikane si drejtoreshë ekzekutive. Puna e saj si drejtoreshë ka konsistuar në ngritjen e performancës së Odës, deri në akreditimin nga Oda Amerikane në Washington. Në të njëjtën kohë, ajo gjithashtu ligjëroi në Universitetin e Prishtinës në lëndën e Mikroekonomisë dhe në AUK për Proceset e Menaxhmentit.

Viti 2009 ishte viti kur Kusari-Lila vendosi t’i ekspozohej prapë politikës, kësaj radhe duke kandiduar për kryetare të komunës së Gjakovës. Ky vendim erdhi gjatë periudhës kur Mimoza ishte në Amerikë për herë të dytë pas një burse të fituar për katër muaj. Ajo qëndroi në Washington D.C. në kohën kur në udhëheqje të shtetit erdhi presidenti i parë me ngjyrë në historinë e SHBA-ve, Barack Obama.

“Mesazhet e tij kanë pasur ndikim pozitiv dhe më kanë bërë të besoj që ndryshimi vjen nëse ke vullnet dhe vendosmëri.”  

Pavarësisht se Kusari-Lila humbi zgjedhjet e atij viti, ajo nuk u dorëzua. Në vitin 2013 u rikthye e vendosur për të rikandiduar për kryetare të Gjakovës.


Kur kam vendosur të garoj për zgjedhjet komunale në vitin 2013, e mbaj mend se familja ime ka qenë kundër. Ata besonin se po futem në një punë me probleme të mëdha e pa rezultate. Atëherë, veç se kisha një performancë pozitive politike. Isha ministre e tregtisë dhe zv.kryeministre. Ka qenë përcaktim i imi që një punë të nisur të mos e lë në gjysmë dhe kur vendosa të garoj, dhashë dorëheqje prej të dy posteve.’’

Mimoza thotë se sfidat më të mëdha në detyrat e saj në pozitat udhëheqëse lidhen me perceptimin e rolit të gruas në pushtet. Pasi që ajo kurrë nuk e ka kategorizuar veten në bazë të gjinisë, vendosja e paragjykimeve dhe kategorizimeve në baza gjinore për të ka qenë e vështirë, në kuptimin e perceptimit se sa larg jemi si shoqëri për t’i pranuar të barabarta të dy gjinitë.

Sfidë tjetër për të sipas saj, ka qenë edhe niveli i standardit në Kosovë, i cili dallon dukshëm prej nivelit mesatar të standardit në vendet e tjera evropiane. Ajo thotë se sistemi i vlerave në shoqëri bie sepse gjithmonë ballafaqohemi me vlera patriarkale të periudhave të mëhershme, të cilat tashmë është dashur të reformohen.

Mimoza beson se bashkimi i grave në politikë do të sillte koalicione të qëndrueshme dhe revolucionare. Ajo mendon se dy fushat në të cilat duhet të stimulohen gratë janë politika dhe media, për shkak të mjedisit të pasigurt të punës që u ofrohet.

Gjuha e urrejtjes dhe privimi nga avancimi profesional i tyre mbi baza gjinore, prezent ndaj vajzave dhe grave, kategorizimi me fjalë si “çiko” ka bërë që gratë dhe vajzat ta shohin veten jashtë zyreve politike, sipas Kusari-Lilës.

Mesazh nga unë si grua, do të ishte që të krijohet mjedis sa më i qetë dhe më i këndshëm, që vajzat të ndihen se i përkasin atij mjedisi dhe pozitat udhëheqëse të mos i shohin si mision të pamundur.

Si grua dhe si përfaqësuese politike, kohën e Kosovës nën udhëheqjen e presidentes Jahjaga, Kusari e sheh si periudhë të artë, duke theksuar se ajo ka ardhur në pushtet në rrethana të pazakonshme për Kosovën. Por se gjatë qeverisjes së saj, Kosova, ka gëzuar një reputacion të natyrës tjetër, shumë pozitiv në aspektin e të pasurit një grua të zonjën për presidente.

Kusari, kushtimisht shprehet se te vajzat e reja, në disa rrethana, po sheh një kthim prapa në nivel e në standard të kuptimit të pozitës së gruas në Kosovë. Kemi pasur gjenerata të shumta të vajzave në përpjekje të vazhdueshme, qoftë kundër analfabetizmit, pozitës së gruas apo represionit gjinor e politik. Por, sipas saj, kohëve të fundit, po instalohet njëfarë konformiteti prej fëmijërisë, si të zgjedhim rrugën më të lehtë për një jetë më të sigurt. Vajzat dhe gratë nuk dëshirojnë t’i provojnë humbjet dhe sfidat.

Mesazhi i Kusarit për vajzat e reja është: “Mbase duhet të mësohemi me pritjet dhe vështirësitë, fitoret nuk na bëjnë të fortë. Çdo grua mund t’ia dalë nëse mendon dhe beson se mund ta bëjë.”

Ky shkrim u mundësua nga Programi Angazhimi për Barazi (E4E) i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe zbatuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim (ATRC). Përmbajtja është përgjegjësi e Fondacionit Jahjaga dhe nuk pasqyron deomos pikëpamjet e ATRC, USAID ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme