Kusari – Lila për projektligjin për çmimet tavan: Është vetëm për produktet bazë dhe vetëm në rast të destabilizimit

Prishtinë | 23 Pri 2026 | 11:21 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacioni, Mimoza Kusari- Lila ka treguar se si funksionon projektligji për çmimet tavan të produkteve, raporton Ekonomia Online.

Ajo tha se po keqinterpretohen dy elemente të projektligjit e që janë mënyra e përcaktimit të çmimit dhe çështja e bordit.

“Dhe dy elemente që në vazhdimësi janë keqinterpretuar. E para, ka të bëjë me mënyrën se si është interpretuar përcaktimi i çmimeve, duke u synuar ose duke u diskutuar gjithmonë që ky ligj do t’i përcaktojë çmimet në të gjithë tregun e Kosovës. Ky projektligj i propozuar para jush është i paraparë të aktivizohet vetëm në situata të destabilizimit të tregut dhe vetëm për 14 produkte që janë të specifikuara në këtë projektligj. Do të thotë janë produkte të shportës bazë, të cilat synim kanë mbrojtjen e kategorive më të lëndueshme në raport me ndryshimin e çmimeve. Do të thoë , nuk është projektligj që i hyn listës së përgjithshme të produkteve në të gjitha marketet e Republikës dhe i përcakton çmimet. Jo, i përcakton vetëm listën e produkteve që janë të miratuara sipas projektligjit dhe produktet të cilat derivojnë  nga këto produkte të cilat i miraton Bordi. Unë mendoj që kjo është një prej masave bazë për të ruajtur ose mbrojtur ata që kanë nevojë për mbrojtje. Gjithmonë do të ketë një seri shumë më të madhe të produkteve dhe kategorive që do të përcaktohen sipas çmimeve të tregut.

E dyta, pavarësia e Bordit dhe rrjedhimisht kompetencat e shtetit. Gjatë gjithë diskutimit, edhe sot, po keni kontradiktë: a po e bëni Bordin e pavarur apo të papavarur? A është kompetencë e qeverisë apo nuk është kompetencë e qeverisë? Gjykata Kushtetuese me aktgjykimin e vet ka thënë që nuk mundet qeveria të bëjë përcaktimin e çmimeve, të përcjellë implementimin dhe natyrisht të vendosë t’i përcjellë ato, për shkak se janë disa ligje të tjera në fuqi por edhe mekanizma që duhet të jenë të pavarur. Rrjedhimisht, ideja dhe modeli më i qasshëm dhe i lehtë i zbatueshëm, por edhe që siguron garanci kushtetuese, ka qenë Bordi, i cili me propozim të hapur zgjidhet nga ministria, nga qeveria, me votim nga Kuvendi. Ndërsa shumicën dhe pakicën në Kuvend e përcaktojnë zgjedhjet. 

Ajo tha anëtarët e bordit nuk do të marrin pagë mujore 12-mujore, por vetëm për kohën sa do të punojnë.

“Kjo është edhe kosto-efektive, për shkak se sekretariati i kursen krijimin e një mekanizmi shtesë, një trupe e cila do të paguhej 12 muaj. Këta të angazhuar në kuadër të Bordit, të votuar nga ky Kuvend, do të aktivizohen dhe do të paguhen vetëm për kohën sa do të punojnë ose sa do të takohen. Nuk e kanë një pagë 12-mujore, nuk e kanë një administratë të tërë që krijohet diku, por janë vetëm të thirrur në momentet kur shoqëria civile, ministria, shoqata për mbrojtjen e konsumatorit ose cilido entitet vëren se ka destabilizim në çmime, në veçanti të produkteve bazë”, tha Kusari Lila.

Të ngjashme