Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, me ftesë të Unionit të Bizneseve shqiptare dhe gjermane, në Dusseldorf të Gjermanisë ka prezantuar para bizneseve anëtare të Unionit, mundësitë dhe potencialin investiv në komunën e Gjakovës.
Prezent në takim ishin mbi 200 përfaqësues të bizneseve shqiptare nga landi Nordrhein Westfallen.
“Para këtyre bizneseve prezantova projektet zhvillimore dhe kapitale të Komunës tonë, mundësitë e përfshirjes së këtyre bizneseve në partneritet me bartësit e projekteve si dhe bëra thirrje që idetë e reja nga Gjermania të gjejnë hapësirë për zbatim në Kosovë:, ka thënë Kusari-Lila.
“Diaspora shqiptare ka luajtur rol vendimtarë në të gjitha etapat e krijimit të shtetit tonë dhe tani prej së kërkuari ndihmë të mëtutjeshme nga Diaspora, kërkojmë partneritet të mirëfilltë për projektet zhvillimore”, ka shkruar kryetarja e Gjakovës, në faqen e saj në Facebook.
Ajo ka falënderuar Unionin e Bizneseve Shqiptare-Gjermane për organizimin dhe mundësinë për të prezantuar Gjakovën. Prezent ishte dhe Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.