Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se miratimi i marrëveshjes për projektin e reformës sociale është më se i rëndësishëm dhe se ai adreson vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese për njohjen e stazhit të punës për punëtorët e larguar nga puna gjatë viteve 90′, raporton Ekonomia Online.
Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Kosovës, Kusari-Lila ka deklaruar se marrëveshja për marrjen e kredisë nga Banka Botërore për financimin e pagesave sociale, është e mirë arsyetuar nga Ministria e Financave.
“Aktualisht sot, Grupi Parlamentar i LDK-së do të votojë kundër; gjë që rrezikon të prishet për herë të tretë në kuvend kjo marrëveshje. Është më se e rëndësishme që në dritën e të gjitha obligimeve që ne i kemi si deputet të Kuvendit të Republikës”, tha ajo.
Ajo ka thënë se marrëveshja adreson edhe çështjen e njohjes së stazhit për punëtorët e larguar nga puna gjatë viteve të 90-ta.
“Gjithashtu në vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese mbi reformimin e sistemit pensional dhe njohjen e stazhit 15 vjeçar të të gjithë atyre që kanë punuar gjatë viteve të 90-ta, që sa më parë të filloi zbatimi i kësaj marrëveshje”.
Ajo tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të marrë pjesë në votimin e kësaj marrëveshje, në qoftë se një grup tjetër parlamentar e kundërshton atë.
Partia Demokratike e Kosovës, e cila e kishte kundërshtuar dy herë të tjera këtë marrëveshje ndërkombëtare, ka ndryshuar qëndrim sot. Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se do të votojnë pro ratifikimit të marrëveshjes.
Megjithatë, marrëveshja rrezikon të dështojë për shkak të kundërshtimit të LDK-së për të votuar pro saj. Avdullah Hoti nga LDK-ja ka thënë se nuk do ta votojë as sot marrëveshjen.