Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha sot në kuvend se opozita po kërkon të formohet komisioni hetimor për rrymën në kohën kur po zhvillohet lufta në Ukrainë, cila bazën e konfliktit e ka në resurset dhe në mospasjen e mundësisë së pavarësimit energjetik të disa shteteve të BE-së, të cilën Rusia po e shfrytëzon.
Gjatë fjalës së saj, Kusari-Lila tutje u shpreh se partitë opozitare kanë bërë çmos të parandalojnë qeverinë në krejt masat e veta, por siç theksoi ajo, ‘fatmirësisht nuk ia kanë arritur’.
“Le faktin që në rrethana në të cilat sot në Evropë është një luftë duke u zhvilluar e cila bazën e konfliktit e ka në resurset dhe në mospasjen e mundësisë së pavarësimit energjetik të disa shteteve të BE-së, të cilin Rusia po e shfrytëzon, këtu në kuvend partitë opozitare kanë bërë çmos të parandalojnë qeverinë në krejt masat e veta. Fatmirësisht nuk ia kanë arritur. Qeveria e ka vazhduar punën e vet. Prapë ka mekanizma tjerë parlamentar, janë mekanizma në kuadër të komisioneve funksionale, është komisioni për ekonomi, është komisioni për buxhet, janë komisione tjera të cilat opozita ka hapësirë të shterrojë dhe të kërkojë informacione, janë kërkesat për interpelanca, për debate parlamentare, për pyetje parlamentare. Të thuhet në absolutizëm se sot po minohet funksioni i kuvendit, përveç se është paragjykuese, është paradoksale e gjithashtu edhe patetike, për arsye se nuk e kemi pasur të njëjtin reagim në situata kur me të vërtetë është cenuar demokracia, ku me të vërtetë është cenuar dhe është shkelur vullneti i qytetarëve”, tha Kusari-Lila.
Gjatë debatit në seancën e sotme, ajo ndër të tjera tha se pamundësohet funksionalizimi i këtij komisioni, pasi sipas saj, asnjëri nga deputetët e opozitës nuk mund të zgjidhet kryesues i këtij komisioni, duke qenë se janë iniciues të tij.
“Në mocionin e prezantuar nuk përmendet fakti që 40 deputetët nënshkrues janë iniciues. Kryesuesi zgjidhet nga radhët e një grupi parlamentar që nuk është iniciator i një komisioni hetimor dhe nuk i përket partisë së koalicionit qeverisës. Në rrethana aktuale pamundësohet funksionalizimi i këtij komisioni hetimor, përderisa ata janë iniciues të këtij komisioni hetimor. Me ligj, asnjë nga deputetët e opozitës nuk mund të jetë kryesues i komisionit hetimor parlamentar”.
Kështu, mocioni i propozuar nga Abelard Tahiri për formimin e një komisioni hetimor parlamentar për krizën energjetike nuk është votuar në kuvend, dhe me këtë rast deputetët e LDK-së, PDK-së dhe AAK-së e kanë lëshuar sallën e kuvendit si shenjë revolte.
Deputetët e opozitës u shprehën se ky është një gabim i pafalshëm dhe se janë të detyruar ta lëshojnë sallën e të mos marrin pjesë në votimet e radhës, duke vlerësuar se sot u është mohuar një e drejtë kushtetuese pa kurrfarë nevoje.