Aziz Tafaj, një biznesmen që ishte ndjekur penalisht për mashtrim, i ka hapur luftë shtetit.
Ai, ka thënë sot se nuk do ta dorëzojë ndërmarrjen “Agrokosova Holding”, të cilën Agjencia Kosovare e Privatizimit ia mori përmes një vendimi të nxjerrë javën e kaluar.
Pronari i “AgroKosova Holding”, e cila ishte në vitin 2007 kishte privatizuar Ndërmarrjen Bujqësore Industriale (NBI Suhareka) për rreth 4.17 milionë euro, ka thënë sot se nuk do t’ia dorëzojë pronën shtetit pronën e ndërmarrjes.
“Sot ju kemi ftuar për të ju informuar ju dhe qytetarët se në ditën e sotme në ora 11 është paralajmëruar një veprim, saktësisht i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ky veprim vjen pas një vendimi që unë konsideroj të kundërligjshëm”, ka thënë ai .
Ai e ka konsideruar të kundërligjshëm vendimin e AKP-së.
“Ata kanë kërkuar që ta dorëzojmë vullnetarisht por nuk do ta dorëzojmë s’kemi pse, s’kemi kujt. Nuk kanë pasur të drejtë ta marrin këtë vendim”, u shpreh ai në një paraqitje para mediave të enjten.
Avokati i kompanisë “Agrokosova Holding”, Ibrahim Maxhuni, paralajmëroi kallëzim penal ndaj AKP-së.
Bordi i drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ka marrë vendim për tërheqje të aksioneve dhe vendosje nën administrim të drejtpërdrejt të ndërmarrjes së re Agrokosova Holding (ish-Ndërmarrja Shoqërore “NBI Suhareka”).
Sipas AKP-së, “AgroKosova” dështoi të realizonte investimet e zotuara në ndërmarrjen e privatizuar nga shteti 14 vjet më parë.
NSH “NBI Suhareka/Agrokosova Holding” është privatizuar më 27 gusht 2007 nga blerësit “Gruppo Vinicolo Fantinel” dhe “QMI” përmes metodës së “spin off”-it special në valën e 19-të të shitjes në vlerë prej 4,175,999.00 euro.
Aziz Tafaj, është një biznesmen i cili ishte ndjekur penalisht nga Prokuroria e Shtetit mbi dyshimet për mashtrim.
Sipas aktakuzës, e cila ishte hudhur poshtë në gjykatë, në cilësinë e drejtorit të firmës “Imobiliare Friuli”, Tafaj i kishte shkaktuar dëm pasuror aksioneve të kësaj shoqërie me qëllim që vetes t’i sjellë për fitim të kundërligjshëm.
Në aktakuzë thuhet se Tafaj përmes paraqitjes së rreme dhe fshehjes së fakteve i kishte mashtruar aksionarët Gian Paolo Gortanit, Andrea Gortanit dhe Maia Teresa Tondato, duke i fryrë çmimet e blerjes së patundshmërinë në rajonin e Prishtinës dhe Lipjanit për interes të firmës “Imobiliare Friuli”, edhe pse çmimet reale kishin qenë dyfish me të ulëta. /Paparaci.com