Ajo që ka ndodhur në Lezhë, është e tejet e papranueshme nga ana humane dhe njerëzore.
Të flasësh kundër një personazhi historik mbi varrin e tij, nuk besoj se ka ndodhur në një shoqëri normale. Varri është i shenjtë, në të gjitha kulturat, besimet dhe filozofitë.
Ai lloj fjalimi mbi varr është një përdhosje e mirëfilltë e tij dhe si i tillë së paku moralisht meriton një ndëshkim shembullor.
Gjergj Kastrioti Skënderbeu është kthyer në qendër të sulmeve politike, në një mënyrë befasuese dhe shokuese për shumë vetë në Shqipëri.
Një video e transmetuar pothuaj në gjithë mediat on line dhe në shumë rrjete sociale, tregon “historianin” turk Talha Uğurluel që sulmon heroin kombëtar të Shqipërisë, gjatë një turi në vendvarrmin e tij në Lezhë. Përkthimi në shqip i fjalëve të tij është ky nëse i referohesh shtypit:
“Skënderbeu nuk bëri luftë, por plaçkitje, terror mbi gra, fëmijë dhe pleq të pambrojtur. Ai ishte sikurse është sot PKK. Shqiptarët këtej e tutje duhet të zgjedhin sesi te jetojnë, si Mehmet Akif Ersoy shqiptar, por besnik i Osmaneve, apo si Skënderbeu tradhtar”.
Padyshim që sulmet janë skandaloze. Deklarata më shumë se sa me historinë, kanë të bëjnë me një platformë politike. Dhe më shumë se sa një studim, ajo që ka thënë guida turke është një fjalim politik. Madje një fjalim i mirëfilltë politik.
Që historia dhe historianët të kenë qëndrime të ndryshme për një personazh, kohë apo fenomen, kjo edhe ndodh. Dhe ka ndodhur gjithnjë. Edhe vetë Skënderbeu është parë në tjetër vështrim nga historisnët shqiptarë e tjetër nga ata turq. Historianë të tjerë të huajë po ashtu kanë pasur qëndrime kontradiktore ndaj heroit kombëtar të shqiptarëve.
Ka pasur nga ata që kanë tentuar ta c’mitizojnë duke e kthyer në një personazh historik me të mirat dhe të këqiat e tij. Kjo është krejtësisht normale. Skënderbeu si hero kombëtar, si figurë e mitizuar është njëra gjë dhe personazhi historik padyshim që ka një trajtim tjetër. Por ajo që ka deklaruar personazhi turk nuk ka asnjë lidhje me historinë. Madje është një deformim i mirëfilltë i saj.
E para, nuk njoh ndonjë historian që të mbajë fjalime politike dhe nuk njoh asnjë historian që të anatemojë një personazh mbi varrin e tij.
E dyta, historiani shprehet me vepër dhe punime. Personi në fjalë nuk ka qenë aty në rolin e një historiani. Një kërkim i thjeshtë në internet, tregon se për të nuk ka asnjë informacion në anglisht dhe asnjë punim të cituar në këtë gjuhë. Pra, me gjasë, është një historian vullnetar, nga ata që historinë ja nënshtrojnë filozofisë politike të kohes dhe indoktrinimit të tyre.
E treta, një historian nuk mund të bëjë gabime foshnjore si ai në fjalën e tij. Personazhi në fjalë, ngatërron Skënderbeun me Mehmet Akif Ersoyn. Të dy personazhe fare të ndryshëm dhe me formime diametralisht të kundërta. Skënderbeu lindi dhe u edukua në Krujë. Ai qëndroi në Stamboll në një lloj pengmarrje dhe u rikthye sërish mbrapsht në principatën e tij kur ju dha mundësia. Ai ishte prdukt i një formimi tipik të krishterë. Dallimi fetar ishte i qartë tek ai dhe i tillë mbeti gjithë jetën.
Mehmet Akifi ka lindur në Stamboll nga një baba pejan dhe një nënë që kishte prindër Uzbekë dhe Turq. Ai mori formim otoman, nuk foli asnjëherë shqip. Akif ishte produkt tipik i kulturës osmane dhe më pas, u rendit si një nacionalist turk. Madje autori i himnit të Turqisë post otomane. Kjo është krejtësisht normale, sepse njeriu është produkt i kulturës dhe jo i racës. Këtë personazhi duhet ta dinte. Akif nuk kishte asnjë lidhje me Shqipërinë dhe as ka qenë kurrë këtu.
E katërta, Urs Altermat shprehet se historianët e vendeve totalitare, ku faktet dhe historia trukohet, dallojnë nga ata të shoqërive të lira, pikërisht nga përdorimi i fjalës tradhëtar! Kjo fjalë ka ngarkesë emocionale, por në asnjë rast shkencore. Përdorimi i kësaj fjale, dëshmon se personazhi më jalë ka qenë një misionar politik, por në asnjë rast një historian.
E pesta, dallohet fare qartë se ky është një fjalim politik. Një fjalim që reflekton një filozofi dhe strategji të qartë të rishikimit të historisë në funksion të politikës së ditës. Ai ngjan më shumë si një leksion i neootomanizmit dhe një mendësi politike nga ajo që Erdogan po tenton të fusë në shumë vende të Ballkanit përfshi Shqipërinë, Kosovën e Maqedoninë. Një filozofi që është dukshëm e dëmshme për ne. Rishikimi i historisë së këtyre vendeve gjatë Perandorisë Osmane është tjetër gjë dhe glorifikimi i saj është një gjë tjetër. Dhe e papranueshme.
Dhe e fundit, ajo që ka ndodhur në Lezhë, është e tejet e papranueshme nga ana humane dhe njerëzore. Të flasësh kundër një personazhi historik mbi varrin e tij, nuk besoj se ka ndodhur në një shoqëri normale. Varri është i shenjtë, në të gjitha kulturat, besimet dhe filozofitë. Ai lloj fjalimi mbi varr është një përdhosje e mirëfilltë e tij dhe si i tillë së paku moralisht meriton një ndëshkim shembullor.