Duke lexuar opinione të ndryshme fitohet përshtypja se po bëhet garë se kush po i thotë më shumë e më fort Presidentit se e ka keq me përhapjen kokëfortë të teorive të tij shumë konfuze, por të rrezikshme, për korrigjim të kufirit me Serbinë, si zgjidhje e marrëveshjes përfundimtare. Qe e ka keq dhe gabim? E ka! Por shtrohet pyetja se kush ia dha shansin që ta ketë keq.
Qeveria, dhe askush tjetër!
Qeveria u tërhoq nga obligimi i dialogut (negocimit) që me Kushtetutë dhe vendim të Kuvendit i takon asaj. Në fillim të këtij viti i propozoi Kuvendit një platformë për dialogun Kosovë-Serbi, pa asnjë përmbajtje, veç asaj se, ( sipas Qeverisë) dialogun duhet ta udhëheqë Presidenti i Kosovës. Po të mos ishte kjo sjellje dhe ky veprim i Qeverisë, ne s’do të kishim problem as me Presidentin dhe as me teoritë e tij për korrigjim të madh e të butë të kufijve dhe as me ofertën për shkëmbim të territorit si pasojë përfundimtare e korrigjimit.
Në fakt qeveria ishte e vetëdijshme se është e pakicës, se nuk ka vota e as fuqi politike për një marrëveshje të tillë. Këtë ia bëri të qartë opozita, sidomos LDK dhe VV. Për këtë sjellje kjo qeveri është dashur të japë dorëheqje e jo të manovrojë me me dialogun si instrument i mbijetesës.
Marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet të ndodhë bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke pasur parasysh efektet e saj për shtetësinë e Kosovës por edhe për regjionin. Marrëveshja mund të bëhet vetëm me një pajtueshmëri te gjere të forcave politike në Kosovë, me legjitimitet politik e kushtetues, pas zgjedhjeve nacionale.