I lindur në mars të 1959, në Prizren, Kujtim Paçaku kreu studimet e degës së Muzikës në Akademinë e Arteve, dhe ato postdiplomike në Pedagogjinë Muzikore, për t’u bërë më vonë edhe nxënës në klasën e legjendës së filmit Faruk Begollit, në Akademinë për Aktrim dhe Regji.
Ish-deputeti rom i Kuvendit të Kosovës, për disa mandate, që të enjten ndërroi jetë në moshën 59-vjeçare, po ashtu kishte diplomuar në romologji në Universitetin e Sorbonës në Paris, shkruan Gazeta Express.
Por, para se të merret me politikë, ku përfaqësoi komunitetin e tij, për disa vite, sa ishte i ri, Kujtim Paçaku punoi si arsimtar në një shkollë fillore në Suharekë, e më vonë ligjëroi edhe në shkolla verore të organizuara për pjesëtarët e komunitetit rom në Kosovë, pjesë e të cilit ishte.
Pas luftës, Paçaku ishte angazhuar edhe si gazetar në një media multietnike, e më vonë drejtoi edhe një OJQ që mbronte të drejtat e komunitetit. Ai ishte shpallur edhe ambasador i paqes në Ballkan, për këso lloj angazhimi në të drejtat e komunitetit rom dhe komuniteteve tjera pakicë.
Ish-deputeti tashmë i ndjerë u mor edhe me shkrime letrare e poezi, duke botuar edhe libra.