Këshilli i Sigurimit në OKB mbajti mbrëmë një mbledhje urgjente për Kosovën.
Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë shfaqn mbështetje për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të armatosur, gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit në OKB.
Por, shtete të tjera kishin mendime të ndara në qëndrimet e tyre. Ambasadori i Rusisë, Vasilij Nebenzja ka përsëritur brengën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në lidhje me zhvillimet e fundit në Kosovë dhe dënoi formimin e ushtrisë së Kosovës duke thënë se paraqet shkelje të Rezolutës 1244, raportojnë mediat serbe, transmeton lajmi.net.
Përfaqësuesi i Kinës ka thënë se Kina respekton sovranitetin territorial dhe integritetin e Serbisë dhe përshëndet përpjekjet e Beogradit për të gjetur një zgjidhje politike me Prishtinën.
Në të njëjtën mbledhje, ambasadorët e Holandës dhe Francës kanë përsëritur se mbështesin pavarësinë e Kosovës. Përfaqësuesi i Francës megjithatë shtoi se formimi i ushtrisë së Kosovës u bë në një moment jo të mirë marrë parasysh dialogun me Beogradin.
Po ashtu, ai bëri thirrje që Prishtina ta heq taksën ndaj mallrave serbe. Të njëjtin qëndrim e ndau edhe përfaqësuesi i Holandës i cili theksoi se vendimi për formimin e ushtrisë së Kosovës vjen në një moment të papërshtatshëm andaj të dyja palët duhet të shfaqen të përmbajtura dhe t’i shmangen enceseve të mundshme, përcjell lajmi.net.
Përfaqësuesi i Perusë ka thënë se mbështet procesin e normalizimit të raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës, për stabilitetin në Ballkan. Peruja beson se formimi i ushtrisë së Kosovës nuk është në përputhje me Rezolutën 1244 dhe marrëveshjen e Brukselit.
Përfaqësuesi i Etiopisë ka thënë se qëndrimi i tyre është i pandryshueshëm: “Fuqishëm e mbështesin integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë duke kërkuar zgjidhje të qetë të gjitha temave në përputhje me dokumentet ekzistuese”. Kazakistani u paraqit i brengosur për formimin e ushtrisë së Kosovës, theksoi përfaqësuesi i tyre në Këshillin e Sigurimit në OKB. “Masat e njëanshme e cenojnë paqen”, theksoi ambasadori i Kazakistanit.
Përfaqësuesi i Guinesë Ekuatoriale u shpreh në favor të vazhdimit të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës dhe mbështeti Rezolutën 1244. Përfaqësuesi i Bolivisë ka bërë thirrje për respektimin e Rezolutës 1244 dhe integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë. Përfaqësuesi i Bregut të Fildishtë ka thënë se formimi i ushtrisë së Kosovës paraqet kundërshtim me Rezolutën 1244 dhe u bëri thirrje të dyja palëve të përmbahen nga veprimet e ngutshme në mënyrë që mos ta kërcënojnë stabilitetin në rajon.
Përfaqësuesi i Polonisë, shtet që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ka theksuar se transformimi i Forcave të Sigurisë në ushtri është çështje e Kosovës dhe se forcat e ardhshme të armatosura duhet të formohen në përputhje me Kushtetutën dhe me procesin e tanishëm, transmeton lajmi.net.
Përfaqësuesi i Kuvajtit, shtet që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, beson se vendimet nga Parlamenti i Kosovës paraqesin të drejtë dhe se Kosova mund ta formojë ushtrinë në përputhje me Kushtetutën.
Megjithatë, ai ka pranuar se vendimet mund të paraqesin shqetësime për Serbinë. Kuvajti nuk i sheh vendimet në kundërshtim me Rezolutën 1244. Ai bëri thirrje për dialog që sipas tij është mënyra e vetme e zgjidhjes së problemeve mes Beogradit dhe Prishtinës. /Lajmi.net/