Posa kanë përfunduar klasën e nëntë fëmijët anekënd Republikës së Kosovës. Me ëndrrat e tyre fëmijërore për profesionet e jetës ua mësyjnë shkollave të mesme anë e kënd vendit, mbi bazën e konkurseve publike, që tashmë janë hapur nga drejtoritë komunale të komunave të Kosovës.
Por vetëm në ditën e dytë të konkurseve, nxënësit entuziastë u zhgënjyen keq, ose u kthyen nëpër shtëpitë e tyre duke qarë sepse ëndrra e tyre, një e drejtë qytetare nuk po iu përmbushet, për shkak të teknokracive komunale, të cilat pa u bazuar në asnjë akt ligjor ua vrasin fëmijëve tanë ëndrrat, duke mos i lejuar të regjistrohen aty ku dëshirojnë.
Këto teknokraci, që u manifestuan në kryeqytet, në gjimnazin “Sami Frashëri” dhe në mjedise të ndryshme të vendit, shkelin të drejtat elementare të fëmijëve, duke mos lejuar konkurrencën në njërën anë, dhe për t’ua hapur dyert nepotizmit dhe korrupsionit në anën tjetër.
Konkurset janë publike dhe fëmijët tanë kanë të drejtë të konkurrojnë aty ku e shohin vetën, sepse kjo është e drejtë fondamentale e tyre.
Prandaj, me të drejtë, ne si prindër pyesim: Kush jeni ju që ua vrisni buzëqeshjet fëmijëve tanë?! Kush jeni ju o mendësi autokratike dhe të korruptuara , që i demoralizoni i traumatizoni fëmijët tanë ende pa e nisur misionin e jetës dhe të ëndrrave të tyre fëmijërore?! Kush jeni ju, që e mohoni sistemin e vlerave dhe e ngulfatni konkurrencën, e nuk veproni siç vepron bota e qytetëruar?!
Mos lëndoni fëmijët tanë, se ata janë margaritarët dhe e ardhmja e vendit, o mendje të mykura, se një ditë do të pendoheni me veprimet që i keni ndërmarrë, sepse me ketë mendësi e keni sjellë këtu ku është arsimin, që është themeli i kombit.