Politikanë, prokurorë, zyrtarë të lartë shtetëror si dhe personalitete të ndryshme bëjnë kërkesa dhe vlerësohen nga organi më i lartë i sigurisë për tu mbrojtur nga kërcënimet e marra apo ndonjë rrezik eventual që mund t’iu kanoset atyre.
Policia e Kosovës në një përgjigje për “Indeksonline” ka sqaruar se kujt mund t’iu ofrohet kjo ndihmë nga forcat e PK-së.
Zëdhënësi i këtij institucioni, Daut Hoxha thotë se njësitet e specializuara përmes njësisë për vlerësimin e kërcënimit apo rrezikut bëjnë vlerësimet e rregullta duke përfshirë edhe vlerësimin e nevojave për mbrojtje dhe siguri të personaliteteve të ndryshme, varësisht prej nevojës dhe vlerësimeve të bëra.
“Policia bazuar në ligj dhe procedura standard të operimit, në pajtim me shkallën e rrezikut/kërcënimit ofron edhe mbrojtjen e nevojshme sipas rezultateve të vlerësimeve profesionale per persona të ndryshëm”, ka thënë ai.
Sipas tij, në disa raste sipas vlerësimeve profesionale ofrohet siguri dhe mbikëqyrje permanente. Ndërsa thotë se janë disa raste të tjera që bëhet ofrim i sigurisë përmes vizitave apo patrullimeve të shtuara nga ekipet policore.
“Policia e Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme për realizimin e detyrave ligjore dhe arritjen e objektivave kryesore në funksion të zbatimit të ligjshmërisë dhe garantimit të sigurisë së përgjithshme”, thuhet në përgjigjen e PK-së.(Indeksonline)