Përkundë shumë paralajmërimeve, Kosova ende nuk është përfituese e Marrëveshjes për Kartonin e Gjelbër. E kjo po shkakton probleme mërgimtarëve sa herë që me vetura arrijnë në atdhe, transmeton Koha.net.
Megjithatë, problemi i tyre i vetëm nuk është se duhet të paguajnë shumën maksimale 20 euro për një muaj, por një mori çështje tjerash, duke përfshirë sigurinë pas aksidentit, shqetësimi se ku shkojnë këto para, efikasiteti i punës në pikat kufitare për pagesat, etj.
Për të hapur një debat dhe për të marrë rekomandime mbi këtë temë, organizata Germin, realizoi diskutimin virtual në Google Hangout me temën Sigurimi Kufitar për mërgimtarët: Pse? Paneli diskutues përbëhej nga: Bekim Dalipi (Zvicër), Adelina Dakaj (Gjermani), Daut Haxhaj (Norvegji), Përparim Avdili (Zvicër), Kushtrim Ahmeti (Kosovë), Fjolla Vukshinaj (Kosovë) dhe u moderua nga Lavdi Zymberi.
Ajo se çfarë u tha nga shumica e panelistëve dhe nga komentet e pranuara me anë të e-mailit, njofton kjo organizatë, ishte se kompanitë e sigurimeve janë ato të cilat po përfitojnë nga kjo situatë dhe se nuk ka pasur gatishmëri nga institucionet për të zgjidhur këtë problem. Arsyetimet se Kosova nuk është pjesë e OKB-së dhe nuk mund të pranohet në Kartonin e Gjelbër, sipas disa panelistëve, ka pasur raste kur Kosova është anëtarësuar në organizatat të tjera pa qenë anëtare e OKB-së, si p.sh në organizatat e sportit. Kushtrim Ahmeti njëri nga panelistët krahasoi edhe shembullin e Zvicrës, ku sipas tij, Zvicra që nga viti është 1949 është anëtare e Këshillit të Byrove të Sigurimit kurse në OKB ishte anëtarësuar në vitin 2002.
Panelistët dhe të tjerët sugjeruan disa rekomandime të cilat, sipas tyre, mund ta përmirësonin gjendjen aktuale:
Të nënshkruhen marrëveshje bilaterale me shtetet e caktuara, ashtu siç ka vepruar Kosova me Serbinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Pagesat të bëhen online apo përmes kontos bankare në vendet e nisjes.
Informim dhe më shumë transparencë ne uebfaqen e Byrosë së Sigurimeve në Kosovë për pagesat.
Të krijohet një fond humanitar nga paratë e mbledhura.
Presion publik nga ana e mërgimtarëve, mediave dhe Germin-it që të bëhet temë në Parlamentin e Kosovës.
Kosova të lidh memorandum me Shqipërinë që Kosova të hyjë në kuadër të Kartonit të Gjelbër me këtë shtet.
Të pranohet nga BSK dëshmia nga mërgimtarët në rast se sigurimi nga vendi i ardhjes iu mbulon të gjitha shpenzimet dhe të mos paguajnë shtesë.
Presion më i madh tek ambasadorët shqiptarë në vendet ku jetojnë me këtë problematik.
Mërgimtarët të marrin pjesë në takimet e organizuara nga niveli qendror dhe lokal mbi kërkesat dhe sfidat e tyre për të bërë presion për problemin e kartonit të gjelbër.