Sipas një hulumtimi nga rrjeti “Sky News”, fëmijë shumë të vegjël, përfshirë edhe ata 4-vjeçarë detyrohen të punojnë në minierat e Kongos, ku nxirret kobalti, i cili përdoret për prodhimin e telefonave të mençur. Njëri ta është edhe Dorseni 8 vjeç.
Kobalti është përbërës thelbësor i baterive të telefonave të mençur dhe lap-topave. Përmes tyre, gjigantët e teknologjisë, si “Apple” dhe “Samsung” fitojnë miliarda dollarë. Megjithatë, shumë persona që punojnë për nxjerrjen e këtij metali paguhen vetëm 8 centë në ditë dhe punojnë në kushte shumë të rrezikshme.
Në mungesë të rregulloreve për hulumtimin e zinxhirit të prejardhjes së lëndës së parë dhe duke e pasur parasysh faktin që shumica e Kobaltit vjen nga Republika Demokratike e Kongos, gjasat janë të mëdha që telefoni juaj e ka një bateri me kobalt të nxjerrë nga fëmijët.
Ekipi i “Sky News” i ka vizatuar disa miniera në ish-provincën Katanga dhe gjeti fëmijë duke punuar në të gjitha vendet e vizituara.
Në njërën prej minierave, fëmijët e lagur në shi bartnin thasë të mëdhenj, të mbushur me kobalt.
Dorseni, 8 vjeç, nuk kishte këpucë në këmbë dhe tha se nuk kishte të holla të mjaftueshme as për ushqim në dy ditët e kaluara, ndonëse punon rreth 12 orë në ditë.
Shoku i tij, Richard-i, 11 vjeç, tregonte se si ndien dhimbje në tërë trupin për shkak të punës së rëndë fizike.
Tunelet e minierave në këtë shtet hapen me duar nga punëtorët që nuk kanë pajisje mbrojtëse. Tunelet nuk janë të përforcuara dhe janë në rrezik nga shembja, sidomos kur bie shi, shkruan “Sky News”, transmeton Gazeta Express.
Ekzistojnë mijëra miniera të pakontrolluara, ku burrat, gratë dhe fëmijët punojnë në ato që nuk mund të cilësohen ndryshe pos kushte skllavërie