Kushtet ekonomike dhe migrimi, ndër faktorët që ulën natalitetin në Kosovë

Prishtinë | 11 Nën 2019 | 16:42 | Nga Ekonomia Online

Nataliteti në Kosovë po shënon rënie nga viti në vit. Planifikimi familjar, kushtet e rënda ekonomike, por edhe ikja e të rinjve jashtë vendit, janë disa nga arsyet që potencohet se kanë ndikuar në rënien e natalitetit.

Gyltene Kolloviçi është nënë e re e cila sapo ka lindur fëmijën e dytë. Ajo thotë se nuk planifikon të lindë më fëmijë, për disa arsye.

“Është lindja ime e dytë, është vajzë derisa të parin e kam djalë. Unë nuk planifikoj të lind më shumë fëmijë, besoj mjaftojnë vajzë dhe djalë. Nuk planifikoj për shkak se kushtet ekonomike nuk i kemi aq të mira sa të lind më shumë fëmijë, por edhe trupi ynë mendoj nuk duron më shumë sepse është sfidë”, tha Kolloviçi.

Nataliteti në rënie në Kosovë është dukuri e viteve të fundit, pasi që gjatë viteve të 80-ta dhe 90-ta, Kosova ishte ndër vendet me shtimin më të madh të popullsisë në ish-Jugosllavi, shkruan REL.

Për gjeneratat më të vjetra, rënia e lindshmërisë nuk është një dukuri pozitive. Fevzi Mahmuti, 69-vjeçar nga Prishtina, thotë se i ka pesë fëmijë. Por, fëmijët e tij, thekson ai, i kanë vetëm nga një ose dy fëmijë. Ai thotë se do të dëshironte të shihte më shumë nipa e mbesa rreth tij.

“Besoj se nataliteti në Kosova ka rënë shkaku i kushteve të vështira ekonomike. Më shumë se një fëmijë ose dy, të rinjtë nuk po i bëjnë. Shumë keq, mendoj se duhet të kenë më shumë fëmijë. Unë për vete i kam pesë fëmijë. Djali im i ka dy dhe nuk mendon të ketë më fëmijë tjetër. Vajza e ka vetëm një”, tha Mahmuti.

Ndryshe, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i lindjeve të gjalla të ndodhura brenda Kosovës për vitin 2014, ishte 25.929. Në vitin 2015, në gjithë Kosovën kishin lindur 24.594 foshnje. Ndërkaq në vitin 2016 kanë qenë 23.416 foshnje të lindura, derisa në vitin 2017 kanë lindur 24.402 foshnje. Viti 2018 është përmbyllur me 22.761 foshnje të lindura të gjalla.

Drejtori i Klinikës Gjinekologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Jakup Ismaili, thotë se nëse krahasohet vetëm nëntëmujori i parë i këtij viti, me atë të vitit të kaluar, rezulton se vetëm në institucionin që ai udhëheq, kanë lindur 400 foshnje më pak.

“Për nëntëmujorin e parë të këtij viti, kanë qenë 7.256 lindje, ku nëse krahasohet me nëntëmujorin e vitit të kaluar janë rreth 400 lindje më pak. Në vitin 2014 kemi 10.307 lindje, 2015 kemi 9.443 lindje, në vitin 2016 kemi 10.139 lindje, në vitin 2017 janë 10.161 lindje, dhe në vitit 2018, janë 9.963 lindje. Ndër vite ka rënie, por nuk është rënie shqetësuese. Por, lindjet tjera sigurisht kryhen në spitale regjionale, pra këto janë lindjet vetëm në QKUK”, thotë ai.

“Dy vitet e fundit, nëse bëhet krahasimi, 400 lindje më pak, arsyet që ne po i shohim këtu janë planifikimi i familjes në bazë të kushteve ekonomike, por edhe një numër i madh i të rinjve po dalin jashtë vendit”, tha Ismaili.

Ndërkaq, sociologët thonë se do të duhej që institucionet gjegjëse të zhvillojnë strategji që të promovojnë rëndësinë e natalitetit.

Besnik Peci, sociolog, tha se trendi i migrimit dhe trendi i ulët i natalitetit, Kosovën pas 20 vjetësh do ta gjejë me popullatë shumë modeste në Ballkan.

“Rënia e natalitetit në Kosovë i atribuohet mungesës së një strategjie të qartë kombëtare për të promovuar qartë zhvillimin dhe shtimin e natalitetit. Për dallim nga gjitha vendet e rajonit, që i kanë zhvilluar strategjitë e tyre për ta mbështetur natalitetin përmes fuqizimit ekonomik të familjeve, te ne nuk ka asnjë veprim konkret që do ta ndihmonte këtë proces. Pastaj kjo lidhet edhe me varfërinë, pavarësisht se në të kaluarën kur gjendja e tyre ekonomike ishte e vështirë, kanë lindur më shumë fëmijë, pas luftës ekziston një rritje e vetëdijes dhe sigurimi i mbijetesës është më i lartë”, tha Peci.

Sidoqoftë, sipas zyrtarëve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, për rënien e natalitetit nuk janë bërë studime, por siç kanë thënë ata, mund të supozohet se trendi i uljes së natalitetit prek secilin vend në zhvillim, e në këtë rast po e prek edhe Kosovën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme