Vendimi i marr nga kryeministri Ramush Haradinaj për rritjen e pagave të kabinetit të tij qeveritar, ngjalli debat në Kuvendin e Kosovës ashtu edhe në opinion.
Lidhur me këtë, tash e më shumë se një muaj deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese vendimin e Ramush Haradinajt për rritjen e pagave të gjithë kabinetit të tij.
Mirëpo Kushtetuesja ende nuk ka dhënë asnjë vendim për këtë, duke thënë se lënda vazhdon të jetë në shqyrtim. Kështu ka thënë për Telegrafin drejtori i zyrës për komunikim dhe informim i Gjykatës Kushtetuese, Veton Dula .
“Kjo lëndë është ende duke u shqyrtuar dhe Gjykata nuk ka marrë vendim”, ka thënë Dula.
Ndërkaq sot seanca e Kuvendit të Kosovës është shtyrë për nesër në mungesë të kuorumit pasi që nuk është arritur të votohen rekomandimet e partive opozitare të dala pas debatit të zhvilluar në interpelancën e kryeministrit Ramush Haradinaj rreth vendimit të tij për ngritjen e pagave për veten dhe kabinetin e tij.