Ishte korriku i vitit të kaluar kur presidenti Hashim Thaçi nisi të promovonte publikisht idenë për korrigjim të kufirit me Serbinë.
Tre muaj pas, kreu i shtetit kërkoi nga Gjykata Kushtetuese të interpretojë nenin 18 të Kushtetutës, i cili flet për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, raporton KTV.
Kushtetuesja ende nuk i ka kthyer përgjigje Thaçit në kërkesën e tij për të sqaruar nëse marrëveshjet ndërkombëtare që nënshkruhen nga presidenti konsiderohen të ratifikuara ose nëse patjetër duhet të ratifikohen edhe nga Kuvendi.
Pesë muaj nga kjo kërkesë, Kushtetuesja nuk ka nxjerrë ende ndonjë vendim. Zyrtarë të saj thonë se nuk janë shqyrtuar të gjitha aspektet kushtetuese lidhur me këtë çështje.
Pasi ka pranuar sqarimet shtesë nga Zyra e Presidentit, Kushtetuesja ka kërkuar komente plotësuese nga deputetët e Kuvendit.
Për partinë e kryeministrit Ramush Haradinaj, asnjë marrëveshje ndërkombëtare nuk duhet t’i shmanget miratimit nga Kuvendi. Sipas AAK-së, çdo veprim tjetër nënkupton shkelje të Kushtetutës.
Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se ky nen është i qartë dhe nuk ka nevojë për interpretim shtesë.
Deputetja Albulena Haxhiu, thotë se Presidenti po mundohet të përdorë Kushtetuesen për të shtyrë përpara idenë e shkëmbimit të territoreve me Serbinë.
Në kërkesën e tij, Thaçi si shembull ka përmendur vazhdimin e mandatit të EULEX-it, që është bërë vetëm nëpërmjet letërkëmbimit të letrave mes tij dhe përfaqësueses së lartë të BE-së.
Neni 18.1 i Kushtetutës thotë se marrëveshjet për territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake, miratohen me 2/3 e votave të deputetëve.