Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka marrë vendim lidhur me kërkesën e parashtruar nga Vlora Dumoshi dhe njëmbëdhjetë deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës, lidhur me shkarkimin e anëtares së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) më 13 korriku 2023. Gjykata me këtë rast ka vlerësuar se vendimi i Kuvendit nuk është në përputhje me kushtetutën.
“Me tetë vota për dhe një kundër, të shpallë se Vendimi nr. 08-V-583 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për shkarkimin e anëtares së Bordit të OSHP-së nuk është në përputhje me paragrafin 9 të nenit 65 dhe paragrafin 1 të nenit 142 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.
Sipas njoftimit, Kuvendi i Republikës së Kosovës kishte shkarkuar anëtaren e Bordit të OSHP-së me arsyetimin e “shkeljes së etikës profesionale”.
Shkarkimit i kishte paraprirë një vendim i OSHP-së për anulimin e një njoftimi të Ministrisë së Shëndetësisë për anulimin e aktivitetit të prokurimit për furnizim me insulina analoge. Ky vendim i OSHP-së ishte nxjerrë në mënyrë unanime dhe ishte konfirmuar si i ligjshëm nga Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit.
Por, pasi Kuvendi shkarkoi anëtaren e OSHP-së, deputetët që parashtruan kërkesën argumentuan se shkarkimi ishte në kundërshtim me kompetencat e përcaktuara në Kushtetutë dhe cenonte pavarësinë funksionale të OSHP-së.
Me këtë rast, gjykata theksoi se OSHP-ja, si një agjenci e pavarur, duhet të funksionojë pa ndërhyrje nga organet e tjera. Gjykata po ashtu vlerësoi se nuk kishte asnjë arsyetim të qartë dhe të bindshëm për shkeljen e etikës profesionale nga anëtarja e shkarkuar.
Sipas Kushtetueses, ligjshmëria e vendimmarrjes së OSHP-së i nënshtrohet kontrollit gjyqësor dhe jo ndërhyrjes politike ose administrative.
Gjykata ritheksoi se Kuvendi ka kompetencën për mbikëqyrjen e OSHP-së, por kjo duhet të bëhet në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore që garantojnë pavarësinë e institucioneve të pavarura.