Gjykata Kushtetuese ka vendosur lidhur me kërkesën e deputetëve të Vetëvendosjes për shkarkimin e Aida Dërgutit nga posti i nënkryetares së Kuvendit të Kosovës. Si përfundim kjo gjykatë ka bërë të ditur se kërkesa e deputetëve është pa objekt shqyrtimi dhe kërkesa për masë të përkohshme është refuzuar, shkruan Gazeta Express.
Kjo kërkesë isht paraqitur nga dymbëdhjetë deputetë të Vetëvendosjes duke kërkuar pezullimin e ushtrimit të funksionit të nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, pasi kjo e fundit kishte kaluar në Partinë Social Demokrate të Shpend Ahmetit.
Gjykata fillimisht vlerësoi se kërkesa e parashtruesve është e papranueshme, duke konstatuar se mbajtja e pozitës së nënkryetarit të Kuvendit nuk është e lidhur drejtpërsëdrejti dhe nuk përfaqëson interesat e grupit parlamentar që i ka propozuar për atë pozitë në Kryesinë e Kuvendit.
“Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se pretendimi i parashtruesve të kërkesës, pozita e nënkryetarit/es të Kuvendit, sipas nenit 67, paragrafi 3 të Kushtetutës, është e rezervuar ekskluzivisht për tri grupet më të mëdha parlamentare, të cilat dalin nga votat e partive politike apo e koalicioneve që kanë fituar ulëse në Kuvend si rezultat i zgjedhjeve për Kuvend, nuk është i bazuar.
Në lidhje me këtë, Gjykata po ashtu rikujtoi se më 4 qershor 2018, pas diskutimeve në Kuvend, që ishin zhvilluar në lidhje me propozimin e LVV-së për shkarkimin e Aida Dërgutit nga pozita e nënkryetares së Kuvendit, ku në sallë ishin të pranishëm 94 (nëntëdhjetë e katër) deputetë, 16 (gjashtëmbëdhjetë) deputetë kishin votuar për propozimin e LVV-së, 26 (njëzetë e gjashtë) deputetë kishin votuar kundër dhe 47 (dyzetë e shtatë) deputetë kishin abstenuar. Rrjedhimisht, propozimi i LVV-së nuk mori votat e nevojshme sipas nenit 67, paragrafi 5, të Kushtetutës, për shkarkimin e Aida Dërgutit nga pozita e nënkryetares së Kuvendit dhe, me këtë rast, nuk u plotësuan kërkesat e parapara në nenin 67, paragrafi 5, që Aida Dërguti të shkarkohet nga pozita e nënkryetares”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.
“Gjykata konstatoi se Vendimi nr. 06/V-145 i Kuvendit të Republikës së Kosovës përkitazi me propozimin e Grupit Parlamentar të LVV-së për shkarkimin e Aida Dërgutit nga pozita e nënkryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, është në pajtueshmëri me nenet 7 dhe 67 të Kushtetutës.Në lidhje me kërkesën e parashtruesve për vendosjen e masës së përkohshme, Gjykata, pas konstatimit të saj se vendimi i kontestuar është në pajtueshmëri me nenet 7 [Vlerat] dhe 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës, përfundoi se kërkesa është pa objekt shqyrtimi dhe, si e tillë, kërkesa për masë të përkohshme u refuzua”.