Në Gjykatën Kushtetuese thonë se ky institucion nuk ndikohet nga letra e kryeparlamentares, Vjosa Osmanit, e cila hedh dyshime mbi vërtetësinë e dokumenteve të “punimeve përgatitore” gjatë hartimit të Kushtetueses, të cilat Gjykata pritet t’i shfrytëzojë për të përgatitur aktgjykimin që do t’i hidhte dritë në çështjen mandatarit për formimin e Qeverisë, që ka krijuar tensione politike në vend
Kryetarja e Kuvendit ia ka dorëzuar Gjykatës Kushtetuese, ashtu siç i është kërkuar, dokumentacionin që përfshin gjithë hartimin e Kushtetutës së Kosovës, të cilën Gjykata planifikon ta shfrytëzojë për përgatitjen e një aktgjykimit lidhur me çështjen e mandatimit të Avdullah Hotit për Kryeministër.
Me qasjen e Osmanit në këtë letër, vihet në dyshim kredibiliteti i këtyre dokumenteve, madje në hartues anonim që e citon Koha Ditore, i cilëson si jozyrtare dokumentet që Kushtetuesja planifikon ta përdorë për të arritur në një përfundim për çështjen më të diskutueshme e më të interpretueshme në vend, atë të mandatarit për Kryeministër.
Megjithatë, Gjykata Kushtetuese, në një përgjigje dhënë Gazetës Express, tregon se nuk do të ndikohet nga letra e Vjosa Osmanit.
“Gjykata Kushtetuese është duke punuar intensivisht në procedimin dhe shqyrtimin e lëndëve, e posaçërisht të rasteve me prioritet. Bazuar në nenin 112.2 të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese është plotësisht e pavarur në kryerjen e përgjegjësive të saj. Rrjedhimisht, puna dhe vendimmarrja profesionale e Gjykatës Kushtetuese është plotësisht e pavarur nga çdo individ apo institucion tjetër në vend”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.
Osmani në letrën që ia ka dërguar Gjykatës Kushtetuese, ka thënë se dokumentet i ka marrë javën e kaluar nga Agjencia Shtetërore e Arkivit dhe se nuk mund të garantojë autenticitetin e tyre.
Institucioni i Avokatit të Popullit, kur ka dorëzuar komentin e tij lidhur me çështjen e dekretit të Presidentit për mandatarin për kryeministër, i ka propozuar Gjykatës Kushtetuese që të marrë parasysh frymën Kushtetuese e cila është shfaqur përgjatë Punëve Përgatitore (Travaux preparatories) të Komisionit Kushtetues që ka hartuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Kryeparlamentarja këtë dokumentacion e ka marrë nga Arkivi e Shtetit, por thekson dyshimet e saj mbi vërtetësinë e këtyre dokumenteve.
“Kuvendi nuk mund të vërtetojë autenticitetin e këtyre dokumenteve dhe as nëse ndonjëherë ka pasur ndërhyrje në to; Kuvendi nuk mund të vërtetojë se kush i ka poseduar këto dokumente para se ato të dërgoheshin në Arkivat e Kosovës, si dhe nëse gjatë këtyre viteve ka pasur ndërhyrje në to”, shkruan në letrën e Osmanit, të cilën e ka publikuar Koha Ditore.
Gazeta Express ka pyetur sot Agjencinë Shtetërore të Arkivit, për mundësitë që të ketë ndërhyrje në dokumentet që i ka ruajtur ajo.
Ruzhdi Panxha, drejtor i departamentit për Veprimtarinë Arkivore në Agjencinë Shtetërore të Arkivit, ka thënë se kryetares së Kuvendit i janë dorëzuar dokumentet me vulë të autenticitetit dhe se Arkivi e Shtetit jep përgjegjësi ligjore se nuk ka pasur ndërhyrje që nga koha e sistemimit të dokumentacionit e deri në dorëzimin e tyre javën e kaluar.
“Arkivi dokumentacionin e ofron ashtu siç e ka marrë. Institucionet e tjera janë ato që e vlerësojnë dokumentin se a është origjinal apo ka pasur ndërhyrje. Ne me përgjegjësi ligjore dhe profesionale themi se nuk ka pasur kurrfarë ndërhyrje”.
“Kuvendit të Kosovës i ka ardhur shkresa javën e kaluar se e kanë marrë kopjen prej neve. Ne i kemi dhënë të gjitha kopjet me vulë të autenticitetit, që kanë dalë prej origjinalit që e posedojmë ne. Çdo dokument, çdo kopje, e kemi vulosur me vulë të arkivit”, ka treguar ai
Ndryshe, Presidenti Hashim Thaçi ka mandatuar Avdullah Hotin e LDK’së për ta formuar Qeverinë, pasi ka konsideruar se LVV nuk i është përgjigjur kërkesës së tij për propozim të emrit të ri për kryeministër, pas rrëzimit të Albin Kurtit më 25 mars.
Pas publikimit të dekretit të presidentit për mandatim të Hotit, Lëvizja Vetëvendosje e ka dorëzuar në Gjykata Kushtetuese këtë vendim të Thaçit, duke e konsideruar se ka anashkaluar partinë e Kurtit, si fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit. LVV kërkon që vendi me çdo kusht duhet të shkojë në zgjedhje dhe sipas deklaratave të kësaj partie, zgjedhjet e reja janë i vetmi opsion që duhet t’i japë të drejtë Kushtetuesja.
Gjykata Kushtetuese ka pezulluar dekretin e Presidentit dhe pritet që deri më 29 maj të dalë me aktgjykim rreth kësaj çështjeje.