Gjykata Kushtetuese ka vendosur të ndërpritet procedura e shqyrtimit të kërkesës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje për vizitën e ish-presidentit Hashim Thaçi te deputeti atëhershëm i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala për t’i kërkuar votën për Qeverinë Hoti.
Këtë e ka bërë të ditur Gjykata përmes vendimet të cilat ua ka përcjellë mediave.
Sipas njoftimit, objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së, “vizitës së Presidentit të Republikës së Kosovës më 3 qershor 2020 në shtëpinë/banesën private të deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës“.
Gjykata thotë se në kërkesën e tyre, parashtruesit pretendonin që duke përdorur mekanizma jokushtetues, Presidenti ka kryer shkelje serioze të Kushtetutës, në veçanti të nenit 83 [Statusi i Presidentit], të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit], paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 14, të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] në lidhje me paragrafin 3, të nenit 7 [Vlerat], të nenit 65 [Kompetenca e Kuvendit], paragrafi 8, dhe të nenit 16 [Epërsia e Kushtetutës] të Kushtetutës së Republikës. Parashtruesit gjithashtu kërkuan që Gjykata të mbajë një seancë dëgjimore publike përkitazi me këtë rast.
“Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me paragrafin 6 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenet 44 dhe 45 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 59 dhe 75.5 të Rregullores së punës, të ndërpritet procedura e shqyrtimit të kërkesës së parashtruesve”, thuhet në vendim.
Lëvizja Vetëvendosje kishte dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për, siç thuhet “vlerësimin e veprimeve antikushtetuese të ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi në rastin e nxitjes, bindjes dhe detyrimit të deputetit, Haxhi Shala, për të ndryshuar qëndrimin për votën ndaj Qeverisë”.