Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e kryetarit të shkarkuar të bashkisë së Peshkopisë, Shukri Xhelili, për të shpallur të pavlefshëm vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij nga detyra. Xhelili ka humbur betejën ligjore për tu rikthyer në detyrë pas skandalit seksual që shpërtheu me një vajzë 20-vjeçare të cilës i kërkonte favore seksuale për një vend pune në bashki.
Ish-kryebashkiaku Xhelili i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të hedhur poshtë vendimin që qeveria mori më 13 maj duke e shkarkuar nga detyra.
Në vendimin e saj Gjykata Kushtetuese, deklaron se “pasi analizoi pretendimet e parashtruara nga përfaqësuesi i kërkuesit, si dhe prapësimet e paraqitura nga subjekti i interesuar, Këshilli i Ministrave, në mbështetje të nenit 115 të Kushtetutës, si dhe të nenit 72 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, VENDOSI: – Rrëzimin e kërkesës”.
Pas këtij vendimi do të thotë se në Bashkinë e Peshkopisë tashmë do të mbahen zgjedhje për kryetarin e ri.