Analistët vlerësojnë se koalicioni PAN është i favorizuar nga Kushtetuta e Kosovës, lidhur me zgjedhjen e kryeparlamentarit, por jo edhe të kryeministrit.
Artan Murati, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka vlerësuar se PAN-i favorizohet nga një aspekt, pasi që nuk e ka kohën e kufizuar se kur duhet ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit.
Sipas tij, pikërisht kjo është arsyeja që PAN-i po tenton të blejë kohë deri në sigurimin e së paku një vote.
Kurse politologu Ramush Tahiri, në një prononcim për “Zërin”, ka konsideruar se kushtëzimi që PAN-i po ua bënë subjekte politike është krejtësisht i panevojshëm.
“Nuk ka të drejtë PAN-i të kushtëzojë. Nuk janë në të njëjtin funksion Kadri Veseli e Ramush Haradinaj as si personalitete e as si funksione, pa marrë parasysh që momentalisht janë në të njëjtin koalicion”, ka theksuar ai.
Sipas Tahirit, Kushtetuta nuk ia garanton PAN-it zgjedhjen e kryeministrit, sikurse pozitën e kryeparlamentarit.