Kushtetutshmëria e votimit të Qeverisë Hoti vazhdon të mbetet e kontestuar, pasi Gjykata Kushtetuese as pas më shumë se gjashtë muajsh nuk ka vendosur për dy rastet e ngritura para saj, e që lidhen me këtë vendimmarrje. Kushtetuesja ende nuk e ka thënë fjalën e fundit për votën e deputetit Haxhi Shala dhe të Etem Arifit.
Zyrtarë të këtij institucioni kanë thënë se janë brenda afateve kushtetuese për nxjerrjen e aktgjykimeve, teksa kanë treguar veprimet e ndërmarra rreth këtyre dy rasteve.
“Në rastin e deputetit Haxhi Shala, bazuar në normat kushtetuese e ligjore në fuqi Gjykata nuk ka ndonjë afat të caktuar për vendimmarrje. Ndërkaq, në kërkesën e dorëzuar nga Lëvizja Vetëvendosje përkitazi me rastin e deputetit Etem Arifi, Gjykata ka pasur komunikim të vazhdueshëm me institucionet dhe palët e përfshira në rast deri të martën e kaluar, me qëllim të kompletimit të dosjes së lëndës. Afati 60-ditor për shqyrtimin e këtij rasti fillon pas dorëzimit të të gjitha dokumenteve të nevojshme për shqyrtim kushtetues. Sapo të merren vendimet në të dy këto lëndë, për këtë do të njoftohen të gjitha palët e përfshira në rast dhe opinioni”, ka thënë Veton Dula, drejtor i Zyrës për Komunikim në Kushtetuese, raporton KOHA.
Kabineti qeveritar i propozuar nga Avdullah Hoti, më 3 qershor, kishte marrë mbështetjen e vetëm 61 deputetëve, përfshirë deputetit Haxhi Shala që ka votuar me intervenimin e presidentit Hashim Thaçi dhe të kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.
Shala e kishte deklaruar këtë fakt edhe në seancë, megjithëse neni 70 i Kushtetueses saktëson se “deputetët nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues”.
Ndërkaq, Arifit i është kontestuar kushtetutshmëria e mandatit, pasi në janar të këtij viti është bërë i plotfuqishëm një vendim gjyqësor, me të cilin Arifi është dënuar me një vit e tre muaj burgim.
Të mërkurën, Gjykata Kushtetuese ka publikuar një njoftim për Arifin, por që nuk ka të bëjë me votën në Kuvend.
Kushtetuesja e ka shpallur të papranueshme kërkesën e tij, i cili i është drejtuar asaj për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, lidhur me dënimin ndaj tij për mashtrim me subvencione. Arifi, i cili ndodhet në arrati, pretendonte se përmes këtij aktgjykimi i ishin shkelur të drejtat.
Janë edhe dy raste të tjera, për të cilat Kushtetuesja nuk ka marrë vendim.
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, para gjashtë muajsh e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë ndaj thirrjes së presidentit të Kosovës për moszbatimin e vendimit të ish-Qeverisë Kurti lidhur me masat emergjente për koronavirusin.
Kurse më 22 qershor, Thaçi është denoncuar në Kushtetuese po nga VV-ja, për shtyrjen e zgjedhjeve në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut.
Edhe këto dy lëndë, Gjykata Kushtetuese ka thënë se i ka në shqyrtim dhe se nuk kanë një afat të caktuar për vendimmarrje.