Kuvendi i Kosovës ka debatuar për rreth tetë orë disa projektligje, por në fund të ditës nuk ka pasur kuorum për t’i votuar.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i përmbylli punimet e seancës së sotme, për të vazhduar nesër nga ora 10:00, raporton Ekonomia Online.
“Seanca nuk po shtyhet që nuk ka kuorum, por duke parë edhe vullnetin e juaj”, iu tha Veseli, deputetëve.
Seanca kishte nisur qysh në orën 10. Pas debatit jashtë rendit të ditës dhe përfundimit të pyetjeve parlamentare, Komisioni për Arsim ka propozuar që në rend të ditës të futet edhe shqyrtimi i anëtarëve të Bordit të Këshillit të Cilësisë. Ndonëse pati përplasje mes deputetëve të pozitës e opozitës, ky propozim u përkrah nga deputetët.
Një propozim tjetër për të shtuar një pikë në rend te ditës kishte edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Kjo parti kërkoi që në këtë seancë të vendosej edhe për komisionin hetimor lidhur me deportimin e 6 shtetasve turq.
Për dallim nga kërkesa e Komisionit për Arsim, këtë kërkesë të LDK-së, të cilën e përkrahën edhe Vetëvendosje e Grupi i Pavarur i Deputetëve, nuk mori mbështetjen e deputetëve të koalicionit qeveritar. Ata zgjodhën mos të merrnin pjesë në votim lidhur me këtë mocion të ngritur nga LDK-ja.
Si kundërpërgjigje të këtij bojkoti nga deputetët, LDK dhe VV ndonëse diskutuan për pikat e tjera të rendit të ditës vendosën që mos të merrnin pjesë në votimin e tyre.
Si rezultat asnjë nga pikat e shqyrtuara nuk arritën të votohen për shkak të mungesës së kuorimit.
Pikat e shqyrtuara në seancën e sotme ishin:
Shqyrtimi i Projektligjit nr. 06/L-061 për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Hungarisë mbi transferimin e personave të dënuar;
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për gjykatat, 6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës;
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës;
Shqyrtimi i Projektligjit për veprimtaritë Hidrometeorologjike;
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për këshillin e pavarur mbikëqyrës për shërbimin civil të Kosovës.