Demokratët bënë thirrje për unitet brenda partisë të hënën, ndërsa iu drejtuan votuesve amerikanë në natën e parë të kuvendit të tyre virtual. Ish-nënpresidenti Joe Biden dhe senatorja Kamala Harris do të pranojnë zyrtarisht emërimin si kandidatë për president dhe nënpresidente gjatë javës së kuvendit. Ngjarja më e madhe politike para zgjedhjeve për demokratët synon rritjen e entuziazmit tek votuesit, ndërsa fushata e hyn në fazën e saj përfundimtare.
Fjalimi kryesor u mbajt nga ish zonja e parë Michelle Obama e cila e vlerësoi lart ish nën-presidentin Joe Biden si një njeri të aftë për të drejtuar vendin, duke kriktikuar ashpër presidentin Donald Trump, për të cilin tha se i mungon aftësia për të kuptuar ndjenjat dhe vuajtjet e të tjerëve.
“Unë e njoh Joe-në. Ai është një njeri i jashtëzakonshëm që udhëhiqet nga besimi. Ishte një nënpresident i mrekullueshëm. Ai di se si të shpëtojë ekonominë, të luftojë një pandemi dhe të udhëheqë vendin tonë”, tha ajo.
Ajo theksoi në kritikat e saj se Presidenti Trump ka dështuar me mënyrën si iu përgjigj krizës ekonomike e sociale, si dhe pandemisë së koronavirusit dhe nga ana tjetër u ka kthyer krahët aleancave ndërkombëtare të krijuara nga administratat e mëparshme amerikane.
Kuvendi është një aktivitet i pashembullt në kohëra të jashtëzakonshme, me një pjesëmarrje përmes medias sociale dhe mbrëmje televizive, që u drejtua nga aktorja Eva Longoria Baston.
Një nga temat ishin tensionet racore që kanë përçarë vendin, për të cilat foli mes të tjerëve edhe kryebashkiakja e kryeqytetit Uashington.
“Vetëm pak javë më parë, amerikanët me maska, me kujdes dhe paqësisht protestuan këtu ndaj vdekjes së George Floyd-it”, tha ajo.
Disa aspekte ishin të ngjashme me kuvendet e tjera, por audienca ishte në distancë.
Për demokratët, mbështetja e krahut progresist që gjatë fushatës brenda partisë përkrahu senatorin nga Vermonti, Bernie Sanders është thelbësore.
“Po përballemi me krizën më të rëndë të shëndetit publik prej 100 vjetësh dhe rënien më të thellë ekonomike që nga Depresioni i Madh. Po përballemi me racizmin sistematik dhe kërcënimin masiv ndaj planetit nga ndryshimet e klimës. Dhe mes gjithë këtyre sfidave, kemi një president që jo vetëm është i paaftë t’u bëjë ballë këtyre krizave, por po na çon në rrugën e autoritarizmit”, tha senatori Sanders.
E rëndësishme për demokratët, është edhe mbështetja e republikanëve të moderuar dhe votuesve të pavarur. Ish-guvernatori i Ohajos, John Kasich përkrah zotin Biden.
“Unë kam qenë gjithmonë republikan, por përkatësia partiake vjen pas përgjegjësisë ndaj vendit tim. Prandaj vendosa të flas në këtë kuvend”, tha ai.
Më pak se tre muaj para zgjedhjeve, sfida për të dyja partitë është të ngjallin entusiazëm për kandidatët, në një kohë pandemie/VOA.